Lajme

Pritet përkeqësim i kushteve atmosferike, Komuna e Prishtinës thotë se në disa zona mund të ketë pezullim të transportit publik

01/08/2026 17:58
nga:Y I

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar për përkeqësim të kushteve atmosferike në ditët e ardhshme krahas thirrjes për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Sa i përket transportit urban, Komuna tha se në disa linja mund të ketë vonesa e në disa zona “ku vlerësohet rrezik për qarkullim të sigurt”, transporti publik do të pezullohet përkohësisht deri në normalizimin e kushteve.

“Për çdo rast të tillë, qytetarët do të njoftohen me kohë”, thuhet në njoftim.

Komuna po ashtu ka dhënë disa kontakte për qytetarët që mund t’iu duhet ndihmë.

Postimi i plotë:

Njoftim për qytetarët

Gjatë ditëve në vijim pritet përkeqësim i kushteve atmosferike, me temperatura të ulëta, ngrica dhe reshje bore. Ju lutemi për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Rekomandohet:

• të kufizoni lëvizjet vetëm në raste të domosdoshme,

• të përdorni pajisjet e detyrueshme të dimrit,

• të shmangni shpejtësinë e lartë dhe të respektoni sinjalistikën në terren.

Transporti Publik Urban

Si pasojë e kushteve atmosferike, mund të ketë vonesa në disa linja. Në zonat ku vlerësohet rrezik për qarkullim të sigurt, transporti publik do të pezullohet përkohësisht deri në normalizimin e kushteve; për çdo rast të tillë, qytetarët do të njoftohen me kohë.

Qendra e Thirrjeve

Për çdo pengesë në qarkullim apo situatë që kërkon ndërhyrje, qytetarët mund të kontaktojnë në:

0800 122 33 ose 0800 122 44

Faleminderit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.