Prishtina do të shndërrohet në një qendër të madhe tifozësh gjatë Kampionatit Botëror 2026, përmes organizimit të “Prishtina Football Fest”, i cili do të mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Sheshin “Zahir Pajaziti”.
Gjatë gjithë periudhës së kampionatit, të gjitha ndeshjet do të transmetohen drejtpërdrejt në një ekran gjigant të vendosur në shesh, duke krijuar një atmosferë të ngjashme me atë të stadiumeve për mijëra dashamirë të futbollit.
Hyrja do të jetë falas dhe pa nevojë për bileta, ndërsa festivali do të ofrojë edhe një VIP Zone të dedikuar për sponsorët, partnerët dhe mysafirët me bileta të veçanta.
Kështu, gjatë verës së vitit 2026, sheshi i kryeqytetit pritet të bëhet pika kryesore e grumbullimit për tifozët që dëshirojnë ta përjetojnë Botërorin në një atmosferë festive dhe komunitare.
/GazetaBlic Sport


