Futbollisti i Prishtinës së Re, Bleon Sekiraqa është mjaft i lumtur me paraqitjet e skuadrës në sezonin, 2024/25 në Ligën e Parë, grupi B.
Ekipi i Elon Berishës ka impresionuar këtë sezon dhe me fitoret e njëpasnjëshme është me shumë meritë në krye të tabelës, me 5 pikë më shumë se Dinamo nga Ferizaj.
Sekiraqa potencon se vendi i parë me diferencë i jep motivim shtesë për vazhdimin e kampionatit.
“Jemi 5 pikë para në krye të tabelës, normalisht kjo është një ndjenjë mjaft e mirë dhe na jep motiv për të vazhduar tutje me paraqitje edhe rezultate pozitive”, tha fillimisht Bleon Sekiraqa për ‘GazetaBlic Sport’.
Sipas 24 vjeçarit, atmosfera në klubin e tyre është shumë e mirë dhe kjo po ndikon edhe tek loja e tyre.
“Atmosfera në klub është shumë e mirë. Jemi një grup lojtarësh shumica në moshë të re dhe ka harmoni edhe atmosferë të mirë e që ndikon edhe në lojën tonë – edhe rezultatet e mira që i kemi”, vazhdoi ai.
Në fund Sekiraqa pati lëvdata edhe për trajnerin Elon Berisha dhe lojën sulmuese që po aplikon ai me Prishtinën e Re, teksa tha se shpreson që deri në fund do ta mbajnë pozitën e liderit.
“Trajneri Elon Berisha së bashku me stafin e tij po bëjnë një punë të mrekullueshme. Si rezultat i lojës sulmuese kemi në çdo lojë shumë raste shënimi – për këtë arsye edhe kemi shënuar shumë gola deri tash. Besoj që me këtë ritëm do ta mbajmë pozitën që e kemi deri në fund”, përfundoi ai.
Kujtojmë se në xhiron e fundit, Prishtina e Re fitoi bindshëm ndaj Ramiz Sadikut me rezultatin e thellë 6-0.
/GazetaBlic Sport/