Një familje e cila kishte mbetur e bllokuar në borë, në aksin rrugor Mashkullorë – Backë, ka tejkaluar sfidën me të cilën u përball.
Atyre në ndihmë u doli policia e Korçës dhe banorët e fshatit Panarit.
Familja mbeti në borë, pasi automjeti ka pësuar defekt në kushte ku në rrugë ka një trashësi dëborë prej 5 cm dhe temperaturat shënojnë -6 gradë Celsius, raporton A2 CNN.
Ishte kryefamiljari ai që telefonoi një të afërm, i cili bashkë me dy persona të tjerë u nisën për të ndihmuar çiftin bashkëshortor dhe dy fëmijët e tyre.
Në ngjitje të Majës se Mashkullorës ishte e pamundur për të vijuar rrugën për shkak të prezencës së akullit në rrugë.
Në këto rrethana, kanë vijuar rrugën në këmbë për t’u bashkuar me pjesën tjetër, por të shtatit kanë mbetur të bllokuar në rrugë.
Është dashur një tjetër telefonatë drejt policisë lokale, e cila bashkë me dy banorë të fshatit Panarit me një mjet fuoristrade, të cilët e kanë tërhequr familjen dhe personat e tjerë të bllokuar duke u sjellë në majë të Mashkullorës e prej andej, një mjet tjetër është duke bërë transportin e tyre drejt qytetit të Korçës.