Turizem

Prindër këto gabimet duhet t’i shmangni menjëherë – pasojat te fëmijët mund të jenë të përhershme

03/21/2024 09:22
nga:N K

Ani pse prindërimi është një proces evolucionar, gabimet që bëjnë prindërit gjatë rritjes së fëmijëve nuk duhet anashkaluar, meqenëse plagët emocionale të shkaktuara gjatë fëmijërisë mund të mbeten edhe në moshë madhore duke ndikuar në shëndetin e përgjithshëm mendor.

Në emisionin “LIBERO” ishte e ftuar psikologia Mimoza Shahini, e cila diskutoi për sa i takon gabimeve që bëjnë prindërit në raport me fëmijët.

“…Në edukimin, prindërimin – në çdo gjë që ne i ofrojmë fëmijës duhet të kemi kufij. P.sh një nënë që e mbron fëmijën nga çdo gjë e bën atë parazit, e bën të paaftë që të zgjidhi problemet e veta…Edhe dashuria e tepërt (edhe për ne të rriturit) bëhet e mërzitshme…”, theksoi psikologia.

Gjithashtu, ajo përmendi edhe kritikën dhe krahasimin si probleme të prindërimit, duke theksuar se gabimi i prindërve është gjeneralizimi i kritikave në tërësi dhe jo në raport me problemin specifik.

“…Prindërit kur kritikojnë, e kritikojnë fëmijën në përgjithësi, nuk janë specifik në gabimin që e ka bërë fëmija, pra nëse e ka thyer gotën i thonë “fëmijë i keq je ti, gjithmonë të kam thënë bëj kujdes” në këtë rast nuk është kritikë por nënçmim i fëmijës. Kur bëjnë kritikë duhet të jenë të fokusuar në atë çfarë ka ndodhur…”, potencoi psikologia, derisa theksoi se kritikat ndaj fëmijës nuk duhet të jenë publike, por në një mjedis komfort, në mënyrë që fëmija ta kuptoj se çfarë ka ndodhur dhe jo të mërzitet dhe shqetësohet për problemin.

Vlen të theksohet se disa nga gabimet që bëjnë prindërit në raport me fëmijët dhe që përmenden edhe te “Psychology Today” janë: Mundësitë e tepërta, Urdhrat, Kritika dhe Krahasimi, Neglizhimi, Paqëndrueshmëria dhe Mos vendosja e kufijve./Atvlive/