Një javë po bëhen kur tre policë të Kosovës u kidnapuan në territorin e Kosovës nga njësitë speciale serbe, raporton Gazeta Blic.
Ky veprim i Serbisë erdhi si ‘hakmarrje’ ndaj arrestimit të “Llune” nga autoritetet e Kosovës, i cili është udhëheqës i formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe “bosi” i bandave kriminale ndër vite në Veri, njëkohësisht i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj pjesëtarëve të KFOR-iy dhe Policisë së Kosovës.
Reagime të shumta pati në Kosovë e Serbi, ku të dyja palët dhanë versionet e tyre se në çfarë lokacioni ishin tre policët e Kosovës në momentin e kidnapimit. Harta e fotografi kishte prezantuar Kurti se ata ishin në territorin e Kosovës, por pavarësisht kësaj policët vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Serbi.
Presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë po vlerësohet “lehtë” për lirimin policëve të Kosovës por më shumë si hakmarrje ndaj Kurtit e SHBA dhe BE, për shkak se shefi i Qeverisë së Kosovë, Albin Kurti nuk po merr parasysh kërkesat e SHBA dhe BE për shtensionimin e situatës në Veriun e Kosovës.

Policët kosovarë dje për herë të parë janë takuar nga një zyrtar i qeverisë së Republikës së Kosovës, konkretisht nga shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se policët i kanë rrëfyer Jetishit momentin e rrëmbimit nga njësitë serbe.
“Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë kur pyetën ndaras nga njëri-tjetri nga ambasadori ynë. Përshkrimi i policëve është i njëjtë. Janë tri rrëfime të ndara identike, të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit më 14 qershor kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie. Pra kanë qenë duke ngrënë drekë kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe rrëmbyer”, tha ai.
Ndërsa, familjarët e policëve të arrestuar nuk kanë pasur asnjë informacion për fatin e tyre brenda grilave.
Pak ditë pasi ndodhi kjo ngjarje, Departamenti amerikan i Shtetit (DASh) i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë që “t’i lirojnë pa kushte tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor”.

Në një njoftim të DASh-it, theksohet se arrestimi dhe ndalimi i tyre nën akuza të pabaza ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar.
“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pakushte të lirojnë tre policët e Kosovës, të ndaluar më 14 qershor.
Arrestimi i tyre dhe vazhdimi i mbajtjes nën akuza të pabaza ka përkeqësuar situatën edhe ashtu të tensionuar.”, thuhej në njoftim.
Britania e Madhe është rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të 3 policëve nga Kosova që u kapën nga forcat speciale serbe.

Mes të tjerash, qeveria e Britanisë iu kërkon palëve të ulin sa më shpejt tensionet dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura, mes të cilave dhe asociacionin.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor.Po ashtu, ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”, shkruhet në reagim.
Ndërsa, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, e ka quajtur arrestim, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Ai ka deklaruar se këtë do t’i ftojë Kosovën dhe Serbinë në një takim në Bruksel.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, ka thënë se janë në kontakt të ngushtë me KFOR-it dhe të dy palët, sipas tij për kuptuar çfarë ka ndodhur në rastin me tre policët kufitarë.
“Ju e dini se ka ndodhur një incident për arrestimin e tre policëve nga Kosova dhe ne jemi duke u përpjekur të përcaktojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët për të parë se çfarë ka ndodhur realisht atje që ka çuar në këtë arrestim. Unë do t’i thërras dy palët, Kosovën dhe Serbinë, në një takim për menaxhimin e krizës këtu në Bruksel javën e ardhshme”, ka thënë Borrell para fillimit të takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së me NATO-n.
Por, presidenti Serb Aleksandër Vuçiç ka refuzuar ftesën e përfaqësuesit të lartë të BE për tu takuar me kryeministrin Albin Kurti në Bruksel gjatë kësaj jave.

Në një deklaratë për mediat në Beograd, Vuçiç saktësoi se do të vendosë nëse do të marrë pjesë vetëm duke u paraqitur fizikisht në takim. “Por, të flasim me Kurtin, jo”, shtoi ai. Vuçiç tha gjithashtu se pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve për paqe, sipas tij në sytë e ndërkombëtarëve “Serbia mbetet gjithmonë fajtorja”.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ende i pavendosur nëse do të shkojë në Bruksel për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë kësaj jave.

Kurti tha se fillimisht do të presë të dhënat për gjendjen e tre policëve të rrëmbyer që po mbahen peng në Serbi.
“Unë kam kërkuar takimin për javën që shkoi, mirëpo më është thënë se njëherë duhet të de-eskalohet gjendja, por më pas kishim rrëmbimin e tre policëve tanë në Leposaviç. Eskalimi u shtua dhe vetëm më pas unë u ftova për një takim të radhës për në Bruksel, që nuk jam i sigurt nëse është menduar për datën 22 apo 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme. Sido që të jetë, unë fillimisht dua të pres vizitën e ambasadorit Jetish Jashari, në burg në Kralevë dhe vetëm më pas kur t’i kem të dhënat e tre policëve tanë që po mbahen peng dhe rob, si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, do të marrë vendimin dhe do të jap njoftimin për këtë”, tha ai.
Të shumta ishin edhe kritikat e përfaqësuesve të partive opozitare të pranishëm në seancë, ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Kryetari i PDK-së, që është partia më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar llogari nga kryeministri Albin Kurtit rreth përpjekjeve që shteti i Kosovës po bënë për lirimin e shpejtë të policëve.

Lideri i PDK-së tha se kidnapimi i tre policëve të Kosovës në territorin e vendit tonë është shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit.
“Kërkojmë informacione nga Kurti se çfarë veprime ka marrë qeveria për kthimin e policëve të shtëpi. A është kërkuar ndihma e organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. A është kërkuar ndihma e aleatëve… Përderisa përgjegjësia për shëndetin dhe sigurinë e policëve tanë është e Serbisë, përgjegjësia për kthimin e tyre në shtëpi tani është e juaja, kryeministër”, ka thënë kryetari i PDK-së në fjalën e tij në Kuvend.
Derisa nga partia tjetër opozitare, LDK, ka folur shefi i grupit parlamentar, Arben Gashi.
Ai ka thënë se Kurti me disa kërkesa ndaj KFOR-it për mbrojtje më të madhe të kufirit po shkakton dëm edhe më të madh se që është shkaktuar.

“A jeni të sigurt se po kërkoni angazhimin më të rëndësishëm të KFOR-it në kufijtë e Kosovës dhe pjesët veriore të Kosovës. A jeni të sigurt se çfarë pasoje prodhon kjo dhe a jeni të sigurt se me gjendjen që po krijohet në veri, mund të kemi kërkesë nga KFOR-i të largimit të gjitha strukturave të shtetit të Kosovës nga veri. Ky do të ishte problem shumë i madh për Kosovën”, ka shtuar ai. /GazetaBlic/


