Një rezultat më të mirë se ai i shkurtit e pret AAK në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kandidati i kësaj partie për deputet, Bekë Berisha, që mban numrin 4 në listë, ka thënë për Gazeta Blic se presin t’i marrin deri në 14 për qind.
“Presim diku, sipas disa analizave, dikur 12-14 për qind, është ai tavani i lartë”, ka thënë ai.
Berisha i është kundërpërgjigjur deklaratave se AAK nuk do ta kalojë pragun.
“Do të shohim me datë 29, këto janë propaganda që po na mobilizojnë edhe më fort dhe besoj se do të dalim edhe më mirë se kjo çka e thashë”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.
Ndërsa, sa i përket mundësisë për të pasur koalicion me Vetëvendosjen, Berisha ka thënë se personalisht do të jetë gjithmonë kundër, teksa ka shtuar se VV duhet të shkojë në opozitë, që të dëshmojë se ia do të mirën vendit dhe për të gjitha dëmet që i ka bërë ndaj Kosovës.
“Mendoj që Vetëvendosja duhet të kthehet në opozitë të dëshmojë se ai duan të mirën vendit, që nuk përçajnë më njerëz, që nuk shajnë në Facebook, që nuk i përçajnë familjet, që nuk i bëjnë dëme vendit dhe që e lënë këtë arrogancën që e kanë. Si parti, me hi te vijat e kuqe, sepse ne do të shikojmë tash se çka do të ndodhë, mirëpo nuk është i parapëlqyer nga asnjë njeri në Kosovë ndonjë koalicion me këta njerëz, derisa të kujtohen dëmet që ia kanë sjellë vendit, gjuha e urrejtjes, konfrontimet, etiketimet, pasi kanë arritur të shajnë edhe nëna të dëshmorëve, kjo është e tepër dhe nuk do të tolerohet, ne për vendin jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka por nuk parapëlqej, jam kundër për një koalicion me VV-në pa e parë që kanë rënë me këmbë në tokë njëherë”, ka potencuar kandidati për deputet.
Ai ka thënë se Vetëvendosje ka shkaktuar përçarje te njerëzit, ka fyer e ofenduar nëna të dëshmorëve, ka pasur korrupsion e shumë të këqija, që nuk do të tolerohen më.
“Unë personalisht do të jem kundër gjithherë këtyre njerëzve, sepse kanë lënë plagë ato etiketime, ajo përçarje, ajo hajni me Vukaneviqin e Martin Berishajt, subvencionet e Fitore Pacollit, dajës, vëllait e këto, edhe fjalori i Albin Kurtit se populli është hajvanat. Për këta duhet pasur kujdes sepse gjuha është si plumbi i pushkës, kur të flasësh ajo do ta bëjë dëmin, s’ka më kthim mbrapa dhe kjo ka krijuar irritim të madh mes popullit, përçarje të madhe, unë jam çdoherë për t’i afruar por janë disa gjëra e sidomos kjo përqeshja, etiketimi dhe sharjet edhe ndaj nënave të dëshmorëve, këto nuk do t’i tolerojmë. Nuk e parashoh të ardhmen por mendoj se do të krijojmë institucione kjo pjesa që ishim opozitë kësaj radhe por këta duhet të paguajnë për të këqijat që ia kanë bërë vendit e pastaj të shohim”, ka përfunduar Bekë Berisha, kandidat i AAK-së për deputet./Gazeta Blic/


