Lajme

Presidentja s’përfshihet në zënkat e Kurtit me Borell e Lajcak, dy zyrtarët i takon në Nju Jork

09/20/2023 11:43
nga:N K

Në betejën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ta bindur botën se emisari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak po punon në koordinim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq kundër Kosovës, presidentja Vjosa Osmani s’është përfshirë. Ajo po qëndron në Neë York, atje ku janë edhe udhëheqësit botërorë, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Atje u takua edhe me kryediplomatin europian, Josep Borrell dhe me emisarin Miroslav Lajçak, por deri tash nuk e tha asnjë fjalë rreth propozimit të BE’së për implementimin e marrëveshjes që e refuzoi Kryeministri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron këtë javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ku ende nuk ka folur për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti të hënën foli për një skenar të koordinuar të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Osmani pati mundësinë të fliste me ndërmjetësin sllovak në New York. Ajo u takua edhe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian, Josep Borrell në drekën tradicionale të organizuar nga ai me liderët e Ballkanit Perëndimor.