Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Kryeministrin e Shtetit të Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dohas, ka njoftuar Presidenca përmes një njoftimi për media.
Sipas njoftimit, Osmani e ka falenderuar kryeministrin për mbështetjen që nga paslufta, si dhe ka potencuar nevojën për të avancuar bashkëpunimin diplomatik mes dy vendeve.
“Presidentja falënderoi Kryeministrin për mbështetjen ndaj Kosovës që nga paslufta, duke përfshirë realizimin e projekteve të ndryshme të financuara nga populli dhe shteti i Katarit. Po ashtu, Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë e institucioneve tona të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Shtetin e Katarit.
Presidentja vlerësoi rolin e rëndësishëm të Katarit në mbështetjen e Kosovës në iniciativa të ndryshme ndërkombëtare. Ajo potencoi nevojën për të avancuar bashkëpunimin diplomatik duke u anëtarësuar edhe në organizata ndërkombëtare në të cilat akoma nuk jemi të përfaqësuar si dhe duke e rritur numrin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.


