Lajme

Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e Kolë Berishës: Vepra e tij ishte shumëdimensionale

08/29/2021 11:02
nga:Q R

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka drejtuar një telegram ngushëllimi familjes, miqve e bashkëpunëtorëve me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, përcjell GazetaBlic.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit të tij”, thuhet në telegramin e presidentes Osmani.

Në telegram thuhet se vepra e Berishës ishte shumëdimensionale.

“Mësues i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, thuhet në fund të telegramit të Osmanit.

Vdes ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha