Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po tenton t’i krijojë përfaqësim në KQZ subjektit të saj politik “Lista Guxo”.
Ajo nuk e ka emëruar anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, edhe pse ky subjekt i ka dërguar dy emra. Gazeta Blic mëson se vetëm njërin prej dy emrave, e ka dekretiat për anëtar.
Megjithatë, ajo ndryshe ka vepruar me Vetëvendosjen, të cilës ia ka emëruar dy anëtarë.
Siç mëson Gazeta Blic, ky subjekt po pretendon se i takojnë 3 anëtarë në KQZ dhe nëse kjo do të ndodhë atëherë partia e dytë, në këtë rast PDK do të mbetët me vetëm një anëtar.
Emri i tretë i propozuar për anëtar të VV-së në KQZ nuk është ndonjë zyrtar i kësaj partie, por një kandidate për deputete në zgjedhjet e fundit nga “Lista Guxo” e Vjosa Osmanit. Kjo e fundit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Nga “Lista Guxo” nuk kanë dashur të flasin në lidhje me këtë çështje.
Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj me disa nga zyrtarët e kësaj partie, e cila në zgjedhjet e fundit kishte garuar së bashku me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, por që nuk kanë dashur të deklarohen.
Ndëkohë, nga Presidenca kanë deklaruar për Gazeta Blic se këtë çështje e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes Vjosa Osmani ka theksuar se kanë kërkuar sqarime shtesë nga Gjykata Kushtetuese, në lidhje me emërimin e anëtrin e tretë të dërguar nga GP i Vetëvendosjes.
“Sqarime shtesë janë kërkuar për nominimin e tretë për anëtare të KQZ-së nga rradha e GP VV (Gresa Bytyqi Kelmendi) dhe për nonimimin e dytë për anëtar të KQZ-së nga rradha e GP PDK (Ilir Gashi). Njëkohësisht, është kërkuar sqarim edhe për mënyrën e emërimit të përfaqësuesit nga radhët e komunitetit boshnjak, meqë që të tri subjektet politike të cilat kanë ulëse të rezervuara për këtë komunitet në Kuvendin e Kosovës kanë propozuar anëtar për KQZ”, ka theksuar për Gazeta Blic, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
Përbërja e KQZ-së përcaktohet qartë në Kushtetutën e Kosovës. Në nenin 139 të saj thuhet se 6 anëtarë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend që nuk marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara.
Por, çfarë ndodh në rastet kur në Kuvend nuk janë 6 grupe parlamentare siç është rasti tani kur janë vetëm 4 grupe parlamentare që kanë dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit (LVV, PDK, LDK dhe AAK)?
Në të njëjtin nen të Kushtetutës thuhet se “Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”.
Ky përshkrim në nenin e Kushtetutës nuk i është dukur mjaftueshëm i qartë Presidentes Osmani e cila i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Por, njohësi i çështjeve kushtetuese, Albert Krasniqi ka shpjeguar se si veprohet në rastet kur ka më pak se 6 grupe parlamentare.
“Fillimisht ndahet nga një anëtar për secilin grup parlamentar. Pastaj, në raundin e dytë shpërndahen vendet e mbetura sipas formulës së njëjtë të ndjekur në raundin e parë, duke nisur nga grupi më i madh dhe vazhduar tek grupet tjera sipas madhësisë, derisa të shpërndahen të gjitha vendet e mbetura. Në rastin e tanishëm, emërimet duhet të bëhen kështu: VV dhe LDK nga 2 anëtarë, kurse LDK dhe AAK nga 1 anëtar”, ka shpjeguar Krasniqi.
E para e shtetit, Vjosa Osmani, ka vendosur që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me ndarjen e përfaqësimit në KQZ. Ajo po kërkon përgjigje nga kjo Gjykatë nëse një grupi që fiton më shumë se 50% të votave i takojnë gjysma e ulsëve në KQZ.
Ndryshe, ditë më parë anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, para mediave ka theksuar se këtij subjekti politik i takojnë 3 anëtarë në KQZ, duke u mbështetur në rezultatin zgjedhor prej 50%.
Vetëvendosje ka vepruar kështu, i ka dërguar 3 emra te Presidentja Osmani. Dy prej tyre janë përfaqësues të mëhershëm të VV-së, Sami Kurteshi dhe Alim Rama. Por, emri i tretë nuk është zyrtar i Vetëvendosjes, por i “Listës Guxo”, të Vjosa Osmanit. Fjala është për Gresa Bytyqi Kelmendi, e cila ka garuar në zgjedhje me numër 80 si pjesë e Vetëvendosjes, por nga “Lista Guxo” e Osmanit. Ajo ka qenë në mesin e 14 kandidatëve të Vjosa Osmanit, disa prej të cilëve kanë arritur të bëhen deputetë. Ajo ka marrë 5,334 vota.
Kjo nuk është çështja e vetme që Presidentja Osmani e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Ajo nuk ia ka emëruar anëtarin në KQZ as koalicionit të partive boshnjake, VAKAT, edhe pse i është dërguar emri. Presidentja ka kërkuar sqarime nga Kushtetuesja “lidhur me emërimin e përfaqësuesit nga komuniteti boshnjak kur kemi tri subjekte politike në Kuvend të cilat e përfaqësojnë këtë komunitet dhe kanë numër të barabartë të deputetëve të përfaqësuar në Kuvend”.
Përveç VAKAT-it, në Kuvend janë edhe dy subjekte boshnjake që kanë nga një deputet. Partia e Emilja Redzepit (NDS) dhe e Duda Baljes (SDU) janë të përfaqësuara në Kuvend. Presidentja Osmani nuk marrë parasysh rezultatin në zgjedhje të këtyre subjekteve. Sipas të dhënave të KQZ-së, VAKAT-i është subjekti më i votuar në radhët e komunitetit boshnjak (5,366 vota apo 0.616%), ndërsa NDS ka 2,885 vota apo 0.313% dhe SDU ka 2,549 vota apo 0.292%.
Edhe kësaj çështje i ka dhënë përgjigje njohësi i Kushtetutës, Albert Krasniqi. Ai ka shkruar në rrjetin social Facebook se “Kur subjektet politike kanë numër të barabartë të deputetëve, si në rastin e tri subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin boshnjak, por që kanë të drejtën e emërimit vetëm të një anëtari, zbatohet kriteri i dytë i vlerësimit, që është numri i votave të marra në zgjedhjet e fundit”.
Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:
Presidentët në Kosovë po e trajtojnë Gjykatën Kushtetuese sikur të ishte zyre ligjore e Presidencës, duke i dërguar pyetje për interpretim të dispozitave kushtetuese sa herë që kanë paqartësi. Kësaj praktike Gjykata i ka dhënë fund kur kishte refuzuar kërkesat për sqarime të Presidentit Thaçi, madje njëra prej tyre kishte të bënte pikërisht me emërimin e anëtarëve të KQZ-së.
Sa i përket paqartësive të ngritura për emërimin e anëtarëve të KQZ-së:
1.
Duhet kuptuar që përbërja e KQZ-së nuk është përfaqësim proporcional i përbërjes së Kuvendit.
Gjashtë anëtarë emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare, pavarësisht dallimit që mund të kenë ndërmjet numrit të deputetëve në Kuvend. Ato barabarësish kanë të drejtën e emërimi të vetëm një anëtari.
Nëse ka më shumë se gjashtë grupe parlamentare, grupeve më të vogla nuk u takon e drejtën e emërimit të anëtarëve në KQZ.
Nëse janë më pak se gjashtë grupe parlamentare, fillimisht ndahet nga një anëtarë për secilin grup parlamentar. Pastaj në raundin e dytë shpërndahen vendet e mbetura sipas formulës së njëjtë të ndjekur në raundin e parë, duke nisur nga grupi më i madh dhe vazhduar tek grupet tjera sipas madhësisë, derisa të shpërndahen të gjitha vendeve të mbetura.
Në rastin e tanishëm, emërimet duhet të bëhen kështu: VV dhe PDK nga dy anëtarë, kurse LDK dhe AAK nga një anëtar.
2.
Kur subjektet politike kanë numër të barabartë të deputetëve, si në rastin e tri subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin boshnjak por që kanë të drejtën e emërimit të vetëm një anëtari, zbatohet kriteri i dytë i vlerësimit, që është numri i votave të marra në zgjedhjet e fundit.
BE mesazh Qeverisë Kurti: Presim themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe