Lajme

“Presidentja Osmani ia bëri me dije Kurtit se njëherë mundet por pastaj s’mundet”

11/21/2024 08:23
nga:N K

Presidentja Osmani, në arsyetimin e saj për kthimin e ligjit për Këshillin e Sigurisë tha se ai cenon sigurinë kombëtare të Kosovës, në formën siç është miratuar.Osmani ktheu të martën në Kuvend edhe ligjin për mbrojtjen e konsumatorit për shkak të, siç tha, dispozitave të caktuara të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve.

”Ligji për Këshillin e Sigurisë i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një ligji tjetër në fuqi që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit tonë dhe duke krijuar zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme.”, tha Osmani.

Me Kushtetutën e Kosovës, Këshilli i sigurisë kryesohet nga kryeministri në koordinim me presidenten, përveç gjatë periudhës së jashtëzakonshme kur drejtohet nga presidenti i vendit. Në vërejtjet e presidentes thuhet se ligji i ri i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vend se të përmirësojë dhe rregullojë edhe më në detaje këto çështje, i ka fshirë edhe ato pak nene që përmban ligji i miratuar në vitin 2008, duke krijuar vakum siç u tha në rastet kur siguria në Kosovë është e cenueshme. Megjithatë, gjetjet dhe shqetësimet e presidentes i ka vënë në dyshim dyshim nënkryetari i komisionit për siguri në kuvend, Enver Dugolli.

“ Ne jemi njoftar se Presidentja e Kosovës ka kthyer për shqyrtim ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe një ligj tjetër qe nuk është në domenin e Komisionit ku e mbuloj unë. Ne do shohim shkresën nga Presidentja dhe vërejtjet që i ka bërë sa i takon këtyre ligjeve dhe më pastaj do shohim me kujdes se a kanë bazë shqetësimet e ngritura. Po ju flas nga praktika për ligjet qe lidhen me aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, gati në të gjitha fazat e draftimit dhe përgatitjes së tyre gjithmonë janë ftuar përfaqësues nga zyra e Presidentes të cilët kanë dhënë edhe opinionet e tyre dhe gati çdo herë janë inkorporuar në versionin final. Tani duhet parë gjithashtu edhe kjo çështje se a ka pasur paraprakisht ndonjë vërejtje, sugjerim apo paqartësi nga ana e tyre.”, tha Dugolli

Këshilli i sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me presidencën dhe qeverinë, harton strategjitë për sigurinë e Kosovës dhe gjithashtu ka edhe rol këshillues në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit. Hulumtuesi, në institutin e Kosovës për drejtësi, Gzim Shala, thotë se marr parasysh rëndësinë e Këshillit është e rëndësishme të mos cenohen kompetencat kushtetuese të aktereve institucional.

“Në rastin konkret presidentja e ka rikthyer ligjin në fjalë dhe tash mund të miratohet vetëm me shumicën e votave të të gjithë deputetëve”, tha Shala.

Kushtetuta e Kosovës, përcakton se presidenti i Kosovës ka të drejtën e kthimit për rishqyrtimin e ligjeve të miratuara nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të vendit. Në këtë rrafsh presidentja ka kthyer për rishqyrtim edhe ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Megjithatë, kjo është hera e parë në katër vjet që presidentja Osmani ka përdorur të drejtën për të kthyer ligje në Kuvend.

“Edhe pse e vlerësojmë pozitive veprimin e presidentes në këtë rast duhet të themi se presidentja ka mundur ta shfrytëzoj edhe në raste të tjera duke marrë parasysh qasjen shpërfillëse që qeveria dhe mazhoranca kanë pasur ndaj kushtueses”, tha Shala.

Megjithatë, nuk është hera e parë kur ligji mbi Këshillin e Sigurisë në Kosovë çon në përplasje ndër-institucionale. Në vitin 2019 në kohën kur Kosova përballej me pandeminë Covid-19, kryeministri Kurti pati shkarkuar ministrin brendshëm Agim Veliu, i cili pati deklaruar se është pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo gjë çoi në prishjen e koalicionit LVV-LDK dhe rënien e qeverisë Kurti 1. /rtv21