Presidentja e Kosovës po merr pjesë si e ftuar në Forumin Ekonomik të Zvicrës.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Osmani konfirmoi se para 1500 përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, akademikëve, politikanëve e përfaqësuesve të mediave zvicerane prezantoi potencialin ekonomik të vendit tonë, përcjell GazetaBlic.
Më poshtë edhe postimi i plotë.
Përpara rreth 1500 përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, akademikëve, politikanëve e përfaqësuesve të mediave zvicerane prezantova sot potencialin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe theksova mundësitë e shumta për investime në vendin tonë, si e ftuar e Forumit Ekonomik të Zvicrës.
Në mesin e arsyeve të shumta për të investuar në Kosovë, përmenda një fuqi punëtore të përgatitur, potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve tanë dhe sukseset e tyre, legjislacionin e bashkërenduar me atë të BE-së, mbrojtjen që i ofrohet investitorëve të huaj dhe shumë arsye të tjera që e bëjnë Kosovën vendin ideal për të investuar.
Interesimi i bizneseve e investitorëve për Kosovën u vërejt shumë qartë. Ne na mbetet të punojmë fort e të sigurohemi që interesimi i tyre të shndërrohet në investime të suksesshme në vendin tonë.
/GazetaBlic/