Lajme

Presidentja në Kushtetuese, PDK-ja ende nuk i ka siguruar nënshkrimet

06/21/2021 17:40
nga:Gazeta Blic

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka njoftuar se do ta dërgoj në Gjykatë Kushtetuese, presidenten e vendit Vjosa Osmani.

Ata pretendojnë se Osmani ka bërë shkelje kushtetuese me shkarkimin e ish-kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka.

Por a i kanë 30 nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për ta bërë një gjë të tillë?

Deputeti nga kjo parti Hajdar Beqa është shprehur i bindur se PDK-ja do ta fitoj këtë rast në Kushtetuese, pasi Osmani e ka shkelur aktin më të lartë juridik të vendit.

“Ne konsiderojmë se presidentja ka bërë shkelje Kushtetuese me shkarkimin e zonjës Valdete Daka. Me Kushtetutë është e qartë. Aty përcaktohet vetëm forma e emërimit dhe jo e shkarkimit dhe ne mendojmë se ky rast do të fitohet nga Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë ai .

I pyetur nëse kanë siguruar nënshkrimet nga partitë e tjera, Beqa u shpreh se në mënyrë deklarative e kanë mbështetjen e tyre.

“Deklarativisht kemi deputetë të mjaftueshëm për me e dërgu në Gjykatë Kushtetuese këtë çështje, por nuk kam detaje të tjera”, ka thënë Beqa.

Por të kundërtën e thotë shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Sipas Tahirit, PDK-ja nuk i ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe nuk u ka ardhur një kërkesë e tillë nga PDK.

“PDK-ja siç po duket ende nuk i ka mbledhur nënshkrimet për shkak se te unë si shef i grupit parlamentarë, nuk ka ardhur ndonjë kërkesë eksplicite me një listë të nënshkrimeve të PDK-së, ka thënë Tahiri për Front Online.

Sipas Tahirit edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është duke hezituar në dhënien e nënshkrimeve.

“E dimë se LDK-ja është duke hezituar ta mbështes këtë nismë”, u shpreh Tahiri.

Gjithsesi AAK-ja është në mbështetje të kësaj iniciative dhe këtë e konfirmon edhe deputeti Besnik Tahiri.

“AAK-ja e ka dhënë një pozicion të qartë i cili është i lidhur ngushtë me institucionet e pavarura, siç është KQZ-ja”, ka thënë ai.

Front Online ka provuar të kontaktoj edhe me zëdhënësen e LDK-së, Sibel Halimi, lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigjje.

Javën e kaluar shefi i Grupit Parlamentarë të LDK-së, Arben Gashi pati deklaruar se janë në pritje të qëndrimit dhe veprimit të institucionit të Avokatit të Popullit, në mënyrë që ai të bëjë drejtimin e kësaj situate.