Lajme

Presidentja e KE-së sot në Sarajevë, nesër viziton Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi

10/25/2024 08:33
nga:N K

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot në Sarajevë do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Për sot është paralajmëruar takimi i saj me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto.

Në kuadër të vizitës së saj dyditore në Bosnje dhe Hercegovinë, Leyen vizitoi dje Donja Jabllanicën, e cila ka pësuar më së shumti në përmbytjet e fundit.

Ajo deklaroi se BE-ja është e gatshme të ndihmojë Bosnjën dhe Hercegovinën në korrigjimin e pasojave të rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve që goditën pjesë të kantoneve të Bosnjës dhe Hercegovinës Qendrore-Neretva natën e 3-4 tetorit.

Leyen tha se Evropa nuk e ka harruar Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Ne do të jemi miqtë dhe partnerët tuaj. E patë që Mekanizmi i Mbrojtjes Civile u aktivizua menjëherë dhe ishte prekëse të shihje njerëz, vullnetarë nga vende të ndryshme që ndihmojnë zonat e prekura. Sigurohuni që Evropa është me ju”, u shpreh ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndodhet në një vizitë katër-ditore në Ballkanin Perëndimor dhe tashmë ka vizituar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pas vizitës në Bosnje dhe Hercegovinë, ajo nesër do të vizitojë Serbinë, Kosovën dhe Malin e Zi.