Lajme

Presidentja e Gjeorgjisë mesazh pro-evropian në mitingun e opozitës

10/20/2024 22:58
nga:G B

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili iu drejtua një turme prej mijëra vetësh në tubimin në kryeqytet të dielën, duke dhënë një mesazh të fortë pro-Bashkimit Evropian, vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, që do të jenë përcaktuese për të ardhmen evropiane të vendit.

Turmat e mbledhura në sheshin qendror të Tbilisit përfaqësojnë “një Gjeorgji të lirë”, tha ajo.

“Këtu sot është shoqëria, njerëzit, gjeorgjianët që po shkojnë në Evropë”, tha zonja Zourabichvili, e cila u ka kërkuar gjeogjianëve të votojnë kundër partisë në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’.

Zgjedhjet e 26 tetorit shihen gjerësisht si një sprovë për Gjeorgjinë, nëse vendi do të kthehet në orbitën e Rusisë apo do të ruajë orientimin pro-perëndimor.

Vitin e kaluar BE-ja i dha Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat, një fazë e parë drejt anëtarësimit përfundimtar. Por marrëdhëniet janë përkeqësuar ndjeshëm që kur ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ miratoi një ligj për “agjentët e huaj” në maj, për të cilin kritikët thonë se është tregues se vendi po rikthehet tek Rusia.

Mijëra gjeorgjianë u mblodhën në Sheshin e Lirisë të dielën për të mbështetur katër grupet kryesore të opozitës pro-perëndimore që konkurrojnë fundjavën e ardhshme.

Presidentja Zourabichvili, e cila ka fuqi kryesisht ceremoniale, u zgjodh në vitin 2018 me mbështetjen e ‘Ëndrrës Gjeorgjiane’, por që atëherë është bërë një nga kritiket më të forta të saj./VOA/