Sporti

Presidenti në dhomat e zhveshjes, Lampard: Nuk e kam problem, tregon pasion

04/17/2023 22:46
nga:Lorik J

Situata nuk po shkon siç duhet në klubin e Chelseat që prej disa javësh grumbullon rezultate negative. As ndryshimi i trajnerit nuk “lëvizi ujërat” me Frank Lampard që po vuan ashtu siç paraardhësi i tij, Graham Potter. Së fundmi, ai që po mundohet të “shkund” ekipin është vetë presidenti i “Bluve të Londrës”, Todd Boehly.

Pas ndeshjes së humbur ndaj Brighton, presidenti amerikan shkoi drejt e në dhomat e zhveshjes duke shpërthyer në kritika të ashpra ndaj lojtarëve. Një praktikë që në fakt në Angli nuk ndiqet në masë, por që gjithsesi nuk e shqetëson trajnerin Lampard. Ky i fundit shprehet se presidenti në këtë formë tregoi pasionin e tij për klubin anglez.

“Ndjehem rehat me faktin që Boehly zbriti në dhomat e zhveshjes dhe nuk e kam aspak problem. Ai ka marrë kritika për faktin që nuk i qëndron pranë skuadrës, por kjo nuk është e vërtetë. Në kohën kur unë isha futbollist, mbaj mend që presidentët vinin në dhomat e zhveshjes dhe për një lojtar diçka e tillë nuk është një problem.

Nuk më duket diçka e keqe dhe për t’u kritikuar. Unë them ato që më takojnë të them dhe më pas presidenti mund të vijë dhe të mbajë fjalimin e tij. Kjo tregon pasion dhe është diçka qe mua më pëlqen shumë”, u shpreh Lampard./SS