Sporti

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka: Nuk kam koment për gjendjen e skuadrës time, problemi është tek futbollistët e mi

04/28/2021 19:00
nga:Mergim Rreci

Trepça ’89 ka pësuar humbjen e radhës në Superligën e Kosovës.

Të drejtuarit e Shpëtim Idrizit u mposhtën sot me rezultat 3 me 1 nga Pishtina, shkruan GazetaBlic.

Pas kësaj humbje skuadra nga Mitrovica tashmë ka rënë në zonën e barazhit.

Trepça ’89 tashmë është në pozitën e tetë me 35 pikë, aq sa kanë edhe Drenica dhe Feronikeli në pozitat shtatë dhe gjashtë.

Natyrisht që tashmë skuadra e Idrizit është nën presionin e madh të rezultateve dhe kjo gjë natyrisht që e ka shqetësuar shumë presidentin e kësj skuadre, Abedin Zekës.

Në një prononcim për GazetaBlic Sport, presidenti i kësaj skuadre, Abedin Zeka tha se nuk ka koment të duhur për gjendjen që po kalon klubi i tij, si dhe tha se futbollistët e tij po luajnë ndryshe në pjesën e parë e ndryshe në të dytën.

“Për besë nuk di as unë se çfarë të them. Në pjesën e parë futbollistët e skuadrës time po luajnë shumë mirë, kurse në të dytën si me ua prerë këmbët. Nuk kam as unë koment të duhur për këtë gjendje, e njëjta gjë na ndodhi ndaj Llapit e poashtu edhe sot ndaj Prishtinës. Tashmë kemi hyrë në këtë zonë të barazhit dhe na presin ndeshje shumë të vështira, shpresoj që edhe Zoti të na ndihmojë” tha fillimisht Zeka.

Ai më pas u pyet se ku mendon që po ka probleme skuadra e tij dhe se a mund të jetë orari i shpeshtë i ndeshjeve si faktor i rezultateve të dobëta ?

“Orari i ndeshjeve nuk është arsyeja e rezultateve të dobëta. Nuk kemi pasur orar të ngjeshur, tashmë prej që kemi hyrë në fazën finale ka pasur hapësirë të bollshme kohore mes ndeshjeve.Problemi është tek lojtarët e mi. Ne jemi në mesin e dy tri klubeve në Superligë që nuk ua kemi asnjë cent borxh lojtarëve, pagat i kanë gjithmonë në kohën e duhur. Ata po dalin me tjetër fytyrë në pjesën e dytë” përfundoi Zeka për GazetaBlic Sport.

/GazetaBlic/