Kupa e Botës 2022

Presidenti i Federatës e mohon: Lojtarët e Arabisë nuk morën vetura Rolls Royce pas fitores ndaj Argjentinës

12/13/2022 17:04
nga:Lorik J

Pas fitores befasuese ndaj Argjentinës, duke hapur fazën e grupeve të Kupës së Botës, shumë shpejt u bë lajmi për çmimet e mëdha që do të ishin ndarë për lojtarët e Arabisë Saudite. Nga makinat luksoze si Rolls Royce dhe orët Rolex, në një vlerë monetare prej 500 mijë eurosh… shpërblime që sauditët, në fund të fundit, nuk i morën.

“Jo, jo, jo”, është përgjigjur me nxitim presidenti i federatës së futbollit të Arabisë Saudite. “Ata luajtën për krenarinë e kombit. Ata patën nderin të ishin në një ndeshje historike kundër Argjentinës”, shtoi Yasser Al-Misehal në një intervistë për gazetën Marca.

“Këto thashetheme nuk janë të vërteta. Por ata kanë marrë një premie normale për këto situata dhe që është e rregulluar. Gjithsesi, ata nuk luajtën për çmimin, por për vetë historinë. Shumë prej tyre u bënë futbollistë shumë të njohur pas asaj ndeshjeje”, pohoi ai.

Pavarësisht këtij rezultati, Arabia Saudite përfundoi duke mos mundur të kalonte fazën e grupeve, pasi kishte humbur ndeshjet e mbetura me Poloninë (0-2) dhe Meksikën (1-2).

/GazetaBlic Sport