Atletico Madridi viziton Barcelonën këtë të diel, ku fokusi kryesor do të jetë te Joao Felix, i huazuar nga “Los Colchoneros” te “blaugranat”. I ftuar për të folur për ndeshjen, presidenti i Atleticos, Enrique Cerezo, komentoi mundësinë që sulmuesi portugez të jetë vendimtar për Barcelonën.
“Nuk e di se çfarë do të bëjë Joao Felix, por shpresoj që ai të mos festojë nëse shënon. Për shkak të rrethanave të ndryshme, Felix nuk është tek Atletico sot”.
Cerezo u ngacmua edhe për mundësinë që lojtari të festojë me puthjen e stemës së Barçës, siç ndodhi kundër Portos, në Champions League.
“Shumë lojtarë e puthin simbolin e klubit ku luajnë, nuk e di se çfarë ka ai tani në mendje, nuk kam folur me të për dy vjet, por nëse ai e puth simbolin e Barcelonës është sepse e ndien Barcelonën”, vuri në dukje Cerezo.
“Unë gjithmonë mendoj se futbolli është spektakël dhe duhet të shohësh skuadrat me lojtarët më të mirë. Sigurisht, Joao Felix është një lojtar i mrekullueshëm.”


