Lajme

Presidenca për Ligjin për Zyrtarë Publik: Përgjegjësi ka Kuvendi

09/19/2023 20:56
nga:G C

Këshilltari për media në Presidencën e Kosovës, Bekim Kupina ka reaguar pas kritikave të PDK-së për dekretimin e ligjit për zyrtarët publik.

Në një përgjigje për RTK-në, Kupina ka thënë se presidentja nuk ka kompetencë të ndërhyjë në përgatitjen apo përshtatjen e ligjit me aktgjykimin e gjykatës. Ai është shprehur se kjo i takon Kuvendit të Kosovës.

“Nëse ka ndodhur ndonjë gabim teknik në procesin e përgatitjes së Ligjit nga ana e Kuvendit, presidentja do të kërkojë nga Kuvendi që urgjentisht të rregullohet ky lëshim në përputhje me praktikat ekzistuese të së kaluarës kur ka pasur lëshime teknike”, ka deklaruar Kupina.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës ka autoritet dhe përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore për ta pastruar ligjin nga nenet e kontestuara.

“Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe rregullorja e Kuvendit (Neni 91, para 2 i Rrregullores), përcaktojnë një përgjegjësi të tillë. Sipas rregullores, nëse Gjykata Kushtetuese shfuqizon ndonjë nen të aktit para hyrjes në fuqi të të njëjtit, Kryetari i Kuvendit kërkon nga komisioni funksional që në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese ta përgatisë tekstin e aktit për shpallje nga Presidenti. Pra, përgatitja e tekstit konform aktgjykimit të gjykatës kushtetutese, është detyrë dhe përgjegjeësi e Kuvendit (komisionit funksional) dhe jo e Presidentes”, ka thënë Bekim Kupina në një përgjigje me shkrim.