Lajme

Presidenca organizon disa aktivitete në 19-vjetorin e vdekjes së Rugovës

01/21/2025 08:30
nga:Sh R

Në 19 vjetorin e vdekjes së Presidentit historik, Ibrahim Rugova, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahen një sërë aktivitetesh:

Në orën 09:00, Osmani dhe ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës, do të bëjnë homazhe tek varri i Presidentit Rugova, në Velani.

Në orën 11:00, do të mbahet Ceremonia Përkujtimore për nder të Presidentit Rugova, ndërkaq pas përfundimit të Ceremonisë do të hapet Ekspozitë e fotografive të Presidentit Rugova, nga fotografi Hazir Reka.

Sot mbushen 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.