Lajme

Presidenca, kryeministria dhe MPJD-ja heshtin për skandalin e Prindon Sadriu!

02/09/2022 16:04
nga:Gazeta Blic

Shumë shpejt i ra pishman, u.d. i ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Prindon Sadriu, një postimi ku i sulmon mediat në mënyrë të paprecedent.

“Ndërmarrje e përbashkët kriminale” i quajti burri i Vjosa Osmanit – Prindon Sadriu, mediat kosovare, që pas një ore e hoqi shkrimin nga rrjeti social “Facebook”.

Kjo ngjalli reagime të ashpëra nga akterë të shoqërisë civile në vend. Kjo për shkak që Sadriu, përveç tjerash është “Zotëriu i Parë” i vendit, e mbi të gjitha edhe për shkak që i njejti mban dy pozita shtetërore: diplomat dhe rezervist në FSK.

Gazeta Blic, i ka dërguar pyetje zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të kërkuar përgjigje rreth asaj se a do të merren masa ndaj diplomatit, Prindon Sadriu, për deklaratën e tij, por që ministria që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, nuk ka dhënë përgjigje.

Përveç ministrisë së Punëve të Jashtme, heshtjen e zgjodhi edhe presidenca e vendit, kryeministria dhe ministria e Mbrojtjes.

Ndëshkim të Prindon Sadriut, sipas rregulloreve të brendshme të MPJD-së, e kërkuan shumë fytyra publike në vend.

Opinionisti, Imer Mushkolaj, Mushkolaj ka shkruar në Facebook se përveç bashkëshort i Presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu është edhe diplomat i rangut të lartë dhe epror rezervë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Prindon Sadriu nuk është vetëm bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, por është edhe diplomat i rangut të lartë, zyrtar shtetëror. Është edhe epror rezervë në FSK. Tash disa ditë ai përdor gjuhë linçuese kundër gazetarëve dhe mediave”, ka shkruar Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se MPJD-ja dhe FSK-ja duhet të marrin masa ndaj Sadriut.

“Ministria e Jashtme dhe FSK urgjentisht duhet të marrin masa ndaj tij dhe të veprojnë sipas rregullativave ligjore në fuqi. Ai nuk mundet që, në përpjekje për t’i mbuluar bëmat e bashkëshortes, të akuzojë gazetarë e media me fjalor të ulët që mbase mund ta përdor ndonjë militant i frustruar, por kurrsesi një diplomat”, ka shkruar Mushkolaj.

Njësoj kërkoi edhe profesori universitar, Blerim Latifi, përveçse ai dha edhe një paralajmërim të rrezikshëm.
Latifi thotë se s’duhet injoruar faktin që autoritarizmi fillon nga gjuha e kriminalizimit të zërave kritikë.

“Kur një zyrtarë i lartë i shtetit mediat dhe gazetarët i kualifikon si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, atëherë, logjikisht dhe juridikisht, i bie që prokuroria dhe policia të shfaqen në ndërtesat e mediave dhe në banesat private të gazetarëve për t’i dërguar të gjithë në burg. Kjo gjuhë e zyrtarëve shtetërorë ndaj gazetarëve dhe mosdurimi i tyre agresiv ndaj kritikës publike janë shumë të rrezikshme. Sot ne jemi larg situatës me të cilën përballen gazetarët në regjimet të tilla si ai i Putinit e i Erdoganit, por nuk duhet injoruar fakti se autoritarizmi fillon nga gjuha e kriminalizimit të zërave kritikë dhe mbjellja e frikës”, ka shkruar Latifi.

Gjuha e Prindon Sadriut karshi mediave u kritikua edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Në reagimin e AGK-së, thuhet se gjuha e përdorur nga “Zotëriu i Parë”, shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë.

“AGK-ja dënon sulmet e bashkëshortit të Presidentes Osmani ndaj gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”. “Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu, të martën vonë. Akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në MPJ, shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë. Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre.#SafeJournalists”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ndërkohë u suspendua polici Amir Hoxha, vetëm pse kushte kritikuar deputetët për shpenzimet me karburante, derisa kishte kërkuar edhe pagesën e shujtave për policët.

Hoxha gjatë të premtes kishte postuar në Facebook një reagim mbi shpenzimet e deputetëve për karburante ndërsa kishte thënë se pjesëtaret e Policisë së Kosovës nuk po paguhen për punët jashtë orarit.

“Sapo mora njoftimin për suspendim të përkohshëm timin në afat prej 3 ditësh lidhur me një postim që e kam bërë me datën 04.02.2022 në lidhje me pakënaqësinë time për mos pagesën e shujtave për policët ne kryerje të detyrës e qe ligjërisht na takojnë”, ka thënë Hoxha përmes një njoftimi në rrjete sociale.

“Edhe njëherë e potencoj se qëndroj prapa fjalës sime me ndërgjegje dhe me përgjegjësi të plotë prapa postimit tim në lidhje me diskriminimin e kundërligjshëm që po na behet në pagë, që për këtë edhe kam bërë padi në Gjykatën Themelore”, vijon reagimi i zyrtarit policor, Amir Hoxha.

Ai ka thënë se kërkesën për pagesën e shujtave për policët do ta adresojë edhe në institucione ndërsa ka thënë se fjala e lirë mbrohet me ligj.

“Deri sot të paktën kam besuar se jetoj në një vend demokratik, dhe se fjala e lirë mbrohet dhe ruhet si vlerë dhe se vetëm në regjimet autokratike totalitare sanksionohet me ligj, që shkel masovisht drejtat themelore të individit në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi. Mirëpo në këtë pikë paskan gabuar sepse pushteti atëherë kur po u lëkundkan interesat e veta elektorale po i goditka edhe instrumentet e veta që vet i përdor për ruajtjen e qenësisë se po atij pushteti”, thuhet në reagimin e zyrtarit policor, Amir Hoxha.

Ky shkrim i kushtoi Hoxhës, me suspendim nga Policia e Kosovës.

Kjo ngjalli reagime të shumta, nga akterë politikë dhe shoqërisë civile.