Uncategorized

Premtoi për korrik, Nagavci shpreson që librat të shpërndahen “me kohë” në fund të gushtit

08/16/2023 14:49
nga:Gazeta Blic

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë në mes të gushtit se shpreson që librat shkollorë të shpërndahen te nxënësit “me kohë” kur kanë mbetur edhe dy javë që nga fillimi i vitit të ri shkollor. Megjithatë, një vit më parë ajo premtonte se furnizimi do të bëhet në fund të muajit korrik.

“Tekstet shkollore nuk do të dërgohen më në shkollat tona në fillim të shtatorit gjatë procesit mësimor, por, shumë më herët në kohë, në fund të muajit korrik”, pati deklaruar Nagavci vitin e kaluar. Një ditë më parë KOHA raportoi për vonesën. E të martën Asociacioni i Komunave kërkoi shpërndarjen sa më të shpejtë të teksteve.

Në një konferencë për media, ministrja Nagavci ka thënë se nuk e ka parë reagimin e AKK-së, por ka shtuar se procesi i shpërndarjes së teksteve shkollore “përballet me shumë sfida”.

Teksa ka thënë se për Ministrinë e rëndësishme është të dërgohen tekste cilësore, Nagavci ka shtuar se shpreson që furnizimi të bëhet “me kohë”.

“Shpresoj që të arrijmë me kohë t’i furnizojmë nxënësit me tekste mësimore, gjithsesi jemi duke shqyrtuar mundësinë që të mos ketë vonesa në këtë drejtim që po krijohen për shkak të arsyeve të ndryshme. Me aq sa jam njoftuar nga ekipi që negocion kontratat për blerjen e teksteve, kam parë anomali mjaft të mëdha, kam parë tekste shkollore të përcaktuar me shuma të mëdha, 13, 14 dhe 15 euro dhe si ministri natyrisht që kemi edhe përgjegjësinë e kujdesit ndaj buxhetit të shtetit përveç se për cilësinë e tekstit”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se në fund të javës do të njoftojë më hollësisht për procesin dhe ndryshimet që planifikohen në lidhje me furnizimin e fëmijëve me tekstet shkollore.

Është lavdëruar për “përmirësimin e cilësisë së teksteve mësimore, duke filluar nga zbatimi i tekstit alternativ, duke lënë mundësinë që në kuadër të këshillave profesionale të vendoset për tekstet në të cilat do të punojnë fëmijët”.

Po ashtu ka thënë se MASHT-i ka nisur procesin e rishikimit të teksteve mësimore.

“Është zhvilluar një vlerësim i teksteve mësimore të Gjuhës Shqipe dhe Matematikës nga klasa e parë deri në të nëntën. Javës së kaluar kam pranuar raportet për këto klasë dhe ka gjetje tepër të vlefshme që do të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë. Po ashtu e dini që kemi dërguar në Kuvend edhe Ligjin e ri për tekste dhe mjetet mësimore. Janë varg veprimesh dhe aktivitetesh që kemi ndërmarrë që të sigurohemi që tekstet me të cilat mësojnë fëmijët tanë, të jenë më cilësoret”, ka thënë ajo.