Draft statuti i Asociacionit nuk është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës, pavarësisht nga kërkesat e ndërkombëtarëve.
E, partitë opozitare kanë dalë me qëndrime e premtime të ndryshme për Asociacionin, nëse vijnë në pushtet.
Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se liderët duhet ta mbajnë fjalën për Asociacionin, që është një obligim ndërkombëtar.
“Çdo lider që premton se do ta mbajë fjalën por Kosova duhet të paguajë për mbajtjen e fjalës nga ana e tij është lider që Kosovës nuk i duhet. Asociacioni është obligim ndërkombëtar i marrë nga Thaçi në vitin 2013, por i konfirmuar pastaj nga LDK, AAK, AKR dhe në fund edhe nga VV. Kosova duhet t’i besojë vetëm atyre liderëve që realizojnë obligimet ndërkombëtare”, shprehet ai.
Sipas Arifit, ata që marrin obligime por i sulmojnë ata që i realizojnë ato, janë mashtrues ordiner e jo politikanë.
“Kushdo që implementon Asociacionin, ai realizon marrëveshjet e krejt liderëve të partive politike në Kosovë. Ata që marrin obligime por i sulmojnë ata që realizojnë ato obligime nuk janë politikanë e as atdhetarë, por janë mashtrues ordiner”, deklaron Avni Arifi për Gazeta Blic.