Lajme

“Premtimet e Përparim Ramës, fantastiko-shkencore”| Sveçla: Gjendja reale në Prishtinë është më keq se kurrë më parë

06/24/2024 15:31
nga:N K

Pasditja e së dieles në Kosovë sjelli reshje të shumta të shiut dhe bllokime të rrugëve në kryeqytet.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua Gëzim Sveçla, kryetar i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ku tha se problemet me vërshime në Prishtinë nuk janë të reja dhe sipas tij janë përkeqësuar gjatë qeverisjes akutale.

“Problemet me vërshime në Prishtinë nuk janë të reja, nuk janë probleme qe i solli qeverisja aktuale, por fatkeqësisht po shihet se janë përkeqësuar gjatë kësaj qeverisje”, deklaroi ai.

Tutje ai tregon arsyet pse janë përkeqësuar, si dhe sipas tij pasi ekzekutivi komunal nuk ka bërë asgjë.

“Arsyeja pse janë përkeqësuar është se ekzekutivi komunal nuk ka bërë asgjë për sanimin e infrastrukturës nëntokesore. Prishtina ka problem me kanalizime, ka problem me ndërtime të planifikuara keq të rrugëve, trotuareve, ujëmbledhësve e kështu me radhë dhe në këtë kuptim pushteti aktual komunal nuk ka bërë asgjë për t’i larguar këto probleme”, theksoi ai.

Sveçla për në fund quan premtimet e të parit të kryeqytetit si fantastiko-shkencore, si dhe gjendja në Prishtinë sipas tij është më keq se kurrë.

“Për më tepër, vërshime e probleme po paraqiten edhe nëpër ato pak rrugë ku është punuar gjatë kësaj qeverisje. Dmth ka rrugë në Prishtinë që janë ndërtuar ose riparuar vitin e kaluar, por që dje janë përmbytur e janë vërshuar. Kjo dëshmon për keq planifikim dhe për cilësi të dobët të punëve të realizuara. Përtej premtimeve fantastiko-shkencore të Kryetarit Rama dhe LDK-së së tij dhe përkundër tenderave të bukur të shokëve të Përparimit te Arkitekti i Kryeqytetit, dje u dëshmua që gjendja reale në Prishtinë është më keq se kurrë më parë”, përfundoi kryetari i grupit të asamblistëve të LVV-së Gëzim Sveçla.