Migrimi i qytetarëve të Kosovës e sidomos të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, mbetet njëra ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballet vendi viteve të fundit.
Të rinjët që po ikin nga Kosova, e destinacion kryesor kanë Gjermaninë dhe Kroacinë.
Kjo ikje e tyre bënë që në sektorin e ndërtimtarisë dhe në atë të shëndetësi të vërehet një mungesë e theksuar e punëtorëve.
Edhe pse autoritetet përgjegjëse në Kosovë vazhdimisht kanë bërë thirrje se ikja jashtë vendit është sakrificë që nuk ia vlen, por të rinjët kosovarë, për shkak të mosperspektivës (siç thonë ata) në vendin ku jetojnë duan ta braktisin Kosovën.
Lidhur me këtë temë, GazetaBlic ka kontaktuar me sociologun, Ismail Hasanin i cili u shpreh se ky fenomen ka filluar qysh nga paslufta dhe përmendi disa nga arsyet pse të rinjët janë të zhgënjyer nga jetesa në Kosovë.
“Ky fenomen ka filluar qysh nga paslufta dhe ndikimi kryesor ka qenë mos zhvillimi ekonomik, të jetojnë një jetë më ndryshe, më komode dhe disa prej tyre kanë ikur që të zhvillojnë arsimin në kushte të tjera”, u shpreh Hasani.
Sociologu komentoi edhe aplikimet e fundit të kosovarëve në Ambasadën Gjermani duke thënë se ky është një lajm tragjik për Kosovën.
“400 mijë aplikime vetëm në Ambasadën Gjermane, sipas meje është tragjike ku kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një zhgënjim total, këtu përfshihet edhe pandemia dhe ngjarjet e fundit në Ukrainë dhe njerëzit nuk shohin kurrëfarë prespektive në Kosovë”, shtoi tutje Hasani.
Hasani përmendi edhe premtimet e qeverisë Kurti, gjatë fushatës elektoriale të cilat sipas tij, ndikuan në këtë fenomen që po ndodh.
“Gjatë fushatës elektoriale, partia fituesi doli me premtime të cilat absolutisht nuk po përmbushën. Fatëkeqësisht duhet pranuar se ikja e të rinjëve po ndodh në kushte paqe dhe kjo do të thotë se ka zhgënjim total në qeveri”, përfundoi ai.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa tregoi disa nga arsyet pse të rinjët po migrojnë jashtë vendit.
“Një nga arsyet pse të rinjët po migrojnë sigurishtë që janë çështjet ekonomike, si mosaplikimi i sigurimeve shëndetësore, për shkak te papunësise, pastaj edhe ata qe janë të punsuar me të ardhura te vogla, nuk munden te sigurojnë ekzistencën ekonomike minimale as për vete dhe as për familjet e tyre”, tha Bellaqa.
Bellaqa u shpreh se edhe rritjet e çmimeve kanë ndikuar dukshëm që ky fenomen është në rritje e sipër.
“Arsyeja tjetër është edhe kostoja e lartë e jetës, sepse çmimet janë ngritur enorm, pastaj paga minimale ende e pa miratuar dhe e vogël, të gjitha këto janë pasoja, sepse ka dy dekada që është folur për ekonomi por nuk kanë punuar që të kemi një ekonomi të qëndrueshme dhe zhvillimore”, u shpreh Bellaqa për GazetaBlic.


