Premier League është pranë një tjetër arritjeje të madhe në arenën ndërkombëtare.
Manchester United dhe Tottenham janë shumë pranë finales së Europa League, duke hapur rrugën për një tjetër finale të gjithën angleze dhe për një rekord të ri: gjashte skuadra angleze në Champions League në sezonin e ardhshëm.
Të dy ekipet, ndonëse jashtë formës në kampionat dhe të shkëputura nga zonat europiane në renditjen e Premier League, po shkëlqejnë në Europë.
Nëse nuk ndodh ndonjë përmbysje dramatike në ndeshjet e kthimit, United dhe Tottenham do të përballen në finalen e Europa League – një duel që vlen jo vetëm për trofeun, por edhe për një vend në Champions League.
Falë koeficientit të lartë në renditjen UEFA, Anglia ka siguruar tashmë pesë vende të garantuara në Champions League për sezonin 2025/26.
Por rregullorja e UEFA-s parashikon që edhe fituesi i Europa League ka të drejtë të marrë pjesë në Champions, pavarësisht renditjes në kampionat.
Kështu, në rast se finalja e Europa League do të jetë me dy skuadra angleze, atëherë njëra prej tyre do të fitojë një biletë shtesë për Champions.