Lajme

Prekëse, tragjedia në Klinë: 23-vjeçari mbante emrin e babait që ia kishin vrarë në luftë

04/29/2022 14:12
nga:Gazeta Blic

Një 23-vjeçar u vra dje në Klinë, pranë një restoranti, ku, sipas mediave, kishte ngrënë iftar me familjen e tij. Fazli Hoxha, kishte lindur në vitin 1999, pak muaj pasi babai iu vra nga forcat serbe dhe u pagëzua me emrin e të atit. Ai dje nuk arriti t’i shpëtojë plagëve dhe sapo u dërgua në spital, mjeku njoftoi se kishte vdekur.

Fazli Hoxha, 23 vjecar, absolvent në Fakultetin Juridik në Prishtinë, mbeti i vrarë dje në Klinë, ndërsa dy vëllezërit e tij të plagosur.

Ai vdiq nga plagët e marra, ndërsa, siç thanë nga spitali i Pejës, vëllëzërit e tij të plagosur refuzuan të qëndronin aty për mjekim. U larguan pas pak orësh.

Në një postim të tij një vit më parë, Fazliu e kishte shkruar se është “një hap larg titullit ‘jurist i diplomuar’”.

Njëzetetre vjeçari ishte djali më i vogël i familjes, ndërsa babai i tij ra dëshmor në luftën e vitit 1999, pak muaj para se të lindte djali që u vra mbrëmë në Klinë. Sipas të afërmve, Fazli Hoxha, babai, ishte vrarë në masakrën e Gullbocit, prej nga ishte kjo familje.

Pesë persona janë ndaluar për 48 orë për vrasjen e Fazli Hoxhës dhe plagosjen e dy vëllezërve të tij.