Projektligji për tërheqjen e një pjese të mjeteve të Trustit sipas të gjitha gjasave pritet të votohet në Kuvend përgjatë javës tjetër, raporton Gazeta Blic.
Gazeta Blic nga burime brenda Kuvendit të Kosovës kanë theksuar se sipas të gjitha gjasave të hënën në Kryesi do të vendoset që Trusti të futet si pikë e rendit të ditës pikërisht atë ditë, pra më 6 qershor, ose eventualisht të enjten më 9 qershor.
Gjithnjë sipas këtyre burimeve, gjithçka është në duart e Duda Baljes, dhe Grupit të saj parlamentar “Multietnik”, që ka gjithsejtë 8 vota.
“Nëse deputetja Duda Balje dhe dhe grupi parlamentar ‘Multietnik’ e votojnë projektligjin, atëherë sipas të gjitha gjasave do të kaloj Trusti”, tha ky burim i Gazeta Blic.
Kjo, për faktin se për kalimin e këtij projektligji nevojitet shumica e thjeshtë e votave të deputetëve të pranishëm në seancë.
Bazuar në matematikën e numrave, dhe nëse iniciativën e opozitës e mbështesin edhe një pjesë e deputetëve minoritarë, atëherë i bie që janë votat e nevojshme për kalimin e Trustit.
Kurti flet për Trustin: Pensionet janë për pleqëri, ata që e sollën në Kuvend po manipulojnë
Poashtu pritet që në seancën e njëjtë si pikë e rendit të ditës të futet edhe Kodi Civil, i cili kishte rënë në Kuvend herën e parë.
Duda Balje: Do të votoj PËR tërheqjen e mjeteve të Trustit
Deputetja e Kuvendit të Kosovës Duda Balje e cila në komisionin për Buxhet dhe Transfere kishte abstenuar, kishte theksuar se vota e saj do të jetë PËR në momentin kur projektligji do të dërgohet në Kuvend.
Duda Balje, deputete e Kuevndit
“Të nderuar qytetarë të Kosovës, vota ime sot në Komisionin për Buxhet dhe Transfere është vota e Grupit Parlamentar Multietnik, nuk kemi qenë kundër, në raport me votat 4 me 4 vendimi ka qenë abstenim. Shihemi për votat në Parlament në momentin e votimit, ku çdo deputet do të votojë në emrin e tij personal! Ps. Nuk kisha të drejtë të votoja në emrin tim sot!”, kishte shkruar Balje.
Vetëvendosje kundër, LDK ka kushte
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë kategorik kundër tërheqjes së mjeteve të Trustit. Të paktën publikisht.
Deputeti i VV-së, Armend Muja ka deklaruar se ai me çdo kusht dhe me çdo mjet do të mundohet që të pengoj kalimin e Trustit.
Armend Muja, deputet i VV-së
Njëjtë ka deklaruar edhe deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli. Ai ka theksuar se asnjë deputet i shumicës parlamentare nuk ka votë për një projektligj të tillë.
Ndërkohë, nga partia e Abdixhikut, e cila i ka aktualisht 15 deputetë në Kuvend është pro tërheqjes së Trustit, por që ka një kusht.
Një deputet i kësaj partie i ka thënë Gazetës Blic që ata nuk e mbështesin tërheqjen e 30% të mjeteve të Trustit, por janë të gatshëm që të negociojnë për përqindjen e tërheqjes.
Çka parasheh projektligji për Trustin, kush sa mund të tërheq?!
Neni 12 A thotë se pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjetë (10) deri tridhjetë (30) për qind (%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, sipas përshkrimit në vijim:
“1.1. Personat që kanë kursime pensionale në shumën më pak se 10.000 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në tridhjetë përqind (30%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.
1.2. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 10.000 Euro deri në 19. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në njëzetepesë për qind (25%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK
1.3. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 20.000 Euro deri në 29. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në njëzetë përqind (20 %) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK. 1.4. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 30.000 Euro deri në 39. 999 Euro, kanë drejtë t’i tërheqin deri në pesëmbëdhjete përqind (15%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK. 1.5. Personat qe kanë kursime pensionale me shumë se 40.000 Euro (dyzet mijë), kanë drejtë t’i tërheqin deri në dhjetë përqind (10%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.