Nasuf Aliu, Besim Muzaqi dhe Sylejman Meholli edhe pse kishin aplikuar në garën e brendshme për kryetar të Vushtrrisë, ashtu siç e parasheh Statuti i partisë, gjithçka është kthyer në pikën zero.
Dhe e gjithë kjo ndodhi me ndërhyrjen direkte të Albin Kurtit.
Siç merr vesh Gazeta Blic Kurti nuk ka preferuar asnjërin prej tyre.
Sipas burimeve të Gazeta Blic Kurti ua ka bërë të qartë të tre pretendentëve që s’mund të jenë kandidat asnjëri prej tyre.
“Dhe si kandidat ka preferuar Arsim Rexhepin”, tha ky burim i Gazeta Blic.
Bazuar në preferencat e Kurtit, sipas burimeve të Gazeta Blic, Kryesia e Vetëvendosjes ka marrë vendim që kandidat i kësaj partie për kryetar të Vushtrrisë të jetë Arsim Rexhepi, i cili kishte aderuar në Vetëvendosje para 3 vitesh.
Rexhepi, i cili ishte për disa vite nënkryetar i AKR-së dhe ishte deputet nga AKR-ja në vitet 2007-2010, kundër Statutit të VV-së po nominohet si kandidat për kryetar të Vushtrrisë.
Pritet që sot edhe Dega e VV-së ta konfirmoj kandidaturën e Rexhepit.
Kandidatura e tij bie ndesh me Nenin 86 të Statutit të VV-së, ku ai s’kishte aplikuar fare dhe s’i kishte mbledhur nënshkrimet e nevojshme.
“Kandidatët për Kryetar Komune propozohen ose vetëpropozohen duke i mbledhur 1/5 e nënshkrimeve të anëtarëve të një qendre të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ose duke i mbledhur 1/5 e nënshkrimeve të delegatëve të Këshillit të Qendrës”, thuhet ndër të tjera në këtë nen.
Zyrtarisht nga VV nuk ka folur askush në lidhje me këtë çështje.
Në vazhdim e gjeni komplet Nenin 86 të Statutit të VV-së, i cili nuk u përfill në rastin e Arsim Rexhepit.
Neni 86
Kandidat për Kryetar Komune mund të jetë çdo anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Kandidatët për Kryetar Komune propozohen ose vetëpropozohen duke i mbledhur 1/5 e nënshkrimeve të anëtarëve të një qendre të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ose duke i mbledhur 1/5 e nënshkrimeve të delegatëve të Këshillit të Qendrës.
Kandidati për Kryetar Komune zgjidhet me votim nga Këshilli i Qendrës, pas miratimit të kandidaturave nga Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Agim Bahtiri e “fiton” betejën: Do të jetë kandidati i VV-së për kryetar të Mitrovicës