Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i është kundërpërgjigjur deklaratës së ministrit të Financave, Hekuran Murati i cili sot tha se, pas vendimit të Kushtetueses për tatimin në pronë qëndron garda e vjetër.
Bajrami në një prononcim për GazetaBlic i kujtoi Muratit se, Gjykata Kushtetuese e cila po ja rrëzon ligjet Murati, e ka rrëzu qeverinë ku Bajrami ka qenë ministre e financave dhe siç thotë ajo, nuk e kishte komentuar askush një gjë të tillë.
“Gjykata Kushtetuese nuk është me “regjimin e vjetër” siç ju pëlqen shumices ta quajnë. Gjykata Kushtetuese e cila po ja rrëzon ligjet z.Murati, e ka rrëzu qeverinë ku unë kam qënë ministre e financave dhe e dinë të gjithë se ne nuk e kemi komentuar një vendim të tillë. Tani z.Murati duhet me na tregu me cilin regjim ishte atëherë po kjo Gjykatë?”, tha Bajrami.
Bajrami shtoi se Qeveria Kurti janë të dështuar, teksa thekson se nuk mundë të fshehen as prapa Prokurorisë Speciale as prapa Gjykatës Kushtetuese.
“Qeveria pjesë e së cilës është z.Murati është qeveri e dështuar dhe kot e kanë, por nuk munden të fshihen as prapa Prokurorisë Speciale as prapa Gjykatës Kushtetuese”, tha Bajrami për GazetaBlic.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për pezullimin e Nenit 5 të ligjit të ndryshuar për Tatimin në Pronë, nen ky i cili mundëson komunat të falin një pjesë të barrës tatimore për vitin 2023, deri në 100 euro.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar ministri i Financave Hekuran Murati, i cili thotë se Neni 5 e përcakton që vendimmarrja për falje u takon komunave.
“Me fjalë tjera, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja”, ka shkruar Murati në Facebook.
“Madje për t’i shkuar ironisë deri në fund, paska pezulluar edhe vendimet që disa prej komunave tashmë i kanë marrë për faljen e një pjese të barrës tatimore. Krejt kjo në emër të parandalimit të ndërhyrjes në kompetenca të komunave”, vijon Murati.
Murati: Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja


