Lajme

Pranon fajësinë i akuzuari se në gjendje të dehur kanosi të dëmtuarin në shtëpinë e tij

06/29/2022 12:23
nga:G B

I akuzuari C.G, ka pranuar fajësinë se në gjendje të dehur kishte kanosur të dëmtuarin C.G.

Deklarimin mbi fajësinë e tij, G. e ka bërë gjatë shqyrtimit gjyqësor të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rrahim Podvorica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gashi ka thënë se, e ndjen vetën fajtor dhe e pranon fajësinë me vullnetin e tij dhe pa presion, me ç’rast nuk e ka kundërshtuar aktakuzën.

Tutje, ka thënë se, është i penduar dhe i bindur me pasojat e pranimit të fajësisë, kurse kur ka ndodhur rasti nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Në rrugë kur shihemi përshëndetemi dhe shprehi keqardhje për atë se çfarë ka ndodhur”, tha i akuzuari G.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit është pajtuar prokurori Rodvorica.

Tutje, gjykimi ka vazhduar me leximin e provave dhe dhënien e fjalës përfundimtare nga palet.

Prokurori Podvorica gjatë fjalës përfundimtare kërkojë nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit, kurse me rastin e shqiptimit të dënimit gjykatës i propozoi që si rrethanë rënduese ta marrë faktin se vepra është kryer me dashje dhe paramendim, kurse si rrethanë lehtësuese ta marrë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndërsa, i dëmtuari G. në fjalën përfundimtare deklaroi se i bashkëngjitet ndjekjes penale, përkatësisht deklaratës së prokurorisë së paraqitur nga prokurori, po ashtu,  shtoi se paraqet kërkesë pasurore juridike dhe kërkon dëmshpërblim.

Kurse, i akuzuari G. në fjalën përfundimtare tha se qëndron pranë asaj që ka thënë  dhe nuk do të ketë më probleme as mosmarrëveshje me të dëmtuarin.

Në fund, gjykatësi Selman Salihi përmes aktvendimit aprovoi pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit G., ndërsa ka thënë se, shqyrtimi gjyqësor konsiderohet i përfunduar, ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 5 korrik 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 gushtë 2019, më datë 5 nëntor 2018, rreth orës 00:00, i pandehuri N.G, në fshatin Janjevë me dashje me qëllim te frikësimit, shqetësimit, ankthit ka kanosur me fjalë dhe me veprime të dëmtuarin C.G., në shtëpinë e tij.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri në gjendje të dehur dhe pa leje ka tentuar të futet brenda në shtëpi për të marr vajzën e të dëmtuarit për çka fillimisht e ka fyer me fjalë atë, pastaj e ka gjuajtur me gjësende të ndryshme si dhe i është drejtuar me fjalët “dil nga shtëpia që të të tregoj se kush jam une” dhe “do të shihemi nesër se çka do të ndodh me ty”‘ kurse disa herë duke i rënë borisë së veturës ka vozitur vrullshëm duke u sjellë nëpër oborr me ç’rast, tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe pasiguri për jetën

Me çka ka kryer veprën penale” Kanosja” nga neni 185 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.