Lajme

Pranon fajësinë i akuzuari se mori afro 300 euro gjatë punës si kamarier dhe u largua nga lokali

12/11/2025 21:11
nga:Y I

I akuzuari L.J., e ka pranuar fajësinë lidhur me veprën penale të “Keqpërdorimit të besimit”, pasi sipas aktakuzës, gjatë punës si kamarier kishte marrë 299 euro e 30 centë nga lokali ku punonte në Prishtinë.

“E pranoj fajin dhe jam në gjendje me ia kthy paratë”, tha i akuzuari të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raprton “Betimi për Drejtësi“.

Paraprakisht u bë leximi i aktakuzës nga prokurori Kastriot Berisha. Po ashtu, i akuzuari u njoftua nga gjykatësi Asdren Hasani me të drejtat dhe detyrimet që ka.

Prokurori Berisha, pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, i propozoi Gjykatës që ta aprovojë atë, pasi që është bërë konform dispozitave ligjore.

Në anën tjetër, edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besim Abdullahu, tha se është konsultuar me të paraprakisht, duke e njoftuar për pasojat dhe përfitimet e pranimit të fajësisë.

Më pas, gjykatësi Hasani aprovoi pranimin e fajësisë, duke kërkuar nga palët që të elaborojnë rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Prokurori Berisha, si rrethanë rënduese përmendi faktin se i akuzuari është recidivist i veprave penale, në gjithsej shtatë raste, prej të cilave pesë kanë përfunduar me vendime të formës së prerë.

Në anën tjetër, avokati Abdullahu kërkoi që gjykata të marrë për bazë posaçërisht rrethanat lehtësuese, konkretisht moshën e të akuzuarit.

Vetë i akuzuari kërkoi falje për veprimin, duke shtuar se nuk ka qenë në gjendje të mirë në kohën kur ka kryer këtë vepër penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që mban datën 25 korrik 2022, L.J., akuzohet se më 6 maj 2022, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme në vlerë prej 299 euro e 30 centë, i keqpërdori autorizimet e tij të cilat i kishte në cilësinë e kamarierit në praktikë në një restorant, ashtu që pasurinë që e kishte nën përkujdesje – konkretisht kuletën me 100 euro që e pranoi nga i dëmtuari Y.K., avans për të kryer pagesat me klientët dhe pasi kishte realizuar qarkullimin ditor prej 199 euro e 30 centë– i merr pa përfunduar orarin dhe largohet me to, dhe nuk lajmërohet në punë, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm prej 299.30 euro.

Për këto veprime, ai ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorim i besimit” sipas nenit 330, paragrafi 1 të Kodit Penal.