Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan i akuzuari për kanosje ndaj të dëmtuarit S.H, B.S, është deklaruar fajtor.
Një deklarim të tillë, i akuzuari S. e ka bërë gjatë shqyrtimit gjyqësor, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Nazmi Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi’.
“E ndjej vetën fajtor dhe e pranoj fajësinë me vullnetin tim dhe pa presion”, tha i akuzuari S.
Lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit S, është pajtuar prokurori Krasniqi, ashtu që i propozoj gjykatës që të nxjerr vendimin mbi bazën e fakteve dhe provave në aktakuzë.
“Me vet pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Bleond Sllamniku, veprimet faktike të përshkruara si në dispozitiv të aktakuzës, u dëshmua se janë të bazuara dhe të provuara me ligj, andaj, konsiderojmë se me veprimet e të akuzuarit formohen gjitha elementet e veprës penale për të cilat ngarkohet me aktakuzë i akuzuari, për çka të njëjtin e bëjnë përgjegjës, duke i propozuar gjykatës që ta shpall fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit”, tha prokurori Krasniqi.
Ndërsa, me rastin e caktimit dhe llojit të dënimit, i propozoj gjykatës që t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parapara me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I dëmtuari në këtë rast H, ka shtuar se prej atij momenti nuk kanë pasur më asnjë problem më të akuzuarin, andaj duke pasur parasysh edhe moshën e re të të njëjtit dhe faktin se i njëjti nuk do të përsërisë më vepër penale, i propozoj gjykatës që t’i shqiptohet në dënim sa më i butë.
Gjatë kësaj seance është bërë edhe administrimi i provave ndërsa, më pas, gjykatësi Selman Salihu përmes aktvendimit e ka pranuar pranimin e fajësisë të bërë nga i akuzuari S.
Në këto rrethana, shqyrtimit gjyqësor u konsiderua i përfunduar, ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 26 tetor 2022.
Ndryshe, ndaj të akuzuarin S. gjykata më 22 janar 2021 kishte shqiptuar urdhër ndëshkimor ku të njëjtin e kishte dënuar me gjobë në shumën prej 500 euro, dënim ky që i pandehuri ishte obliguar ta paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Po ashtu, sipas urdhrit ndëshkimor i pandehuri ishte obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20 euro si dhe për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 30 euro.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 nëntor 2020, thuhet se më 13 tetor 2020, rreth orës 19:00, në Lipjan, përkatësisht në rrugën “Haradin Bajrami”, derisa i dëmtuari S.H. ishte në shkallët e ndërtesës ku banon me ç’rast është mbikëqyrës dhe pronar është kanosur nga i pandehuri B.S.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari ka takuar të pandehurin B.S. i cili ishte duke zbritur shkallëve poshtë, e që nuk ishte banor i asaj hyrje dhe i kishte thënë se mos të shoh duke u sillur në ndërtesë, atëherë i pandehuri e kishte kanosur seriozisht me fjalët, “mos më thuaj edhe njëherë kështu se ta ç’kyej barkun me thikë”, ku me këtë rast i pandehuri me veprimet e tij, të dëmtuarit, i ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën.
Me këtë i pandehuri S. po akuzohet me veprën penale “Kanosje” nga neni 181 paragrafi 2 të KPRK-së.


