Lajme

Pranohet me shkrim dëshmia e dëshmitarit që flet për ndalimin dhe zhdukjen e të afërmit të tij

5 ditë më parë
nga:Y I

Në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Gjykata Speciale në Hagë ka pranuar në prova materiale dëshminë me shkrim të një personi për të cilin u tha se është nga pakicat etnike në Kosovë.

Sipas vendimit të 2 prillit 2025, ky dëshmitar nuk ishte në gjendje të dëshmoj për shkak të situatës shëndetësore e që dëshmia e tij kishte të bënte me të afërmin e tij i cili pretendohet se u arrestua, ndalua dhe u keqtrajtua nga anëtarët e UÇK-së. Në vendim thuhet se sipas dëshmisë së dëshmitarit, i afërmi i tij ishte zhdukur.

Përveç këtij dëshmitari, ZPS-ja kishte kërkuar pranimin në prova materiale edhe dëshminë e dëshmitarit W04324.

Kërkesën për pranim në prova të këtyre dy dëshmive, ZPS-ja e kishte dorëzuar me 21 shkurt 2025

Në kërkesën e saj, ZPS-ja kishte thënë se dëshmitarët nuk mund të dëshmojnë dhe se pranimi i deklaratave të tyre se bashku me materialet përcjellëse janë në interes të drejtësisë.

Ndërsa, mbrojtja ka argumentuar se parimi i dhënies së dëshmisë me gojë duhet të mbetet rregull i përgjithshëm për një gjykim të drejtë si dhe është shprehur e shqetësuar për vëllimin e materialit të rastit dhe provave që nuk e ka pasur mundësinë që t’i testoj.

Duke u fokusuar veç e veç tek këta dëshmitarë, për dëshmitarin W00742, ZPS-ja ka thënë se provat e propozuara që kanë të bëjnë me të janë të rëndësishme, autentike dhe kanë vlerë provuese.

Ndërsa, mbrojtja ka thënë se iu është dhënë informacion shumë i kufizuar për gjendjen shëndetësore të këtij dëshmitari për të vlerësuar nëse ai ka apo s’ka mundësi që të vijë në sallë që të dëshmojë. Megjithatë, ata s’e kanë kundërshtuar pranimin e kësaj dëshmie në prova materiale por ka theksuar se vlera provuese e provave duhet të jetë e kufizuar për shkak të natyrës së dëshmisë së tij në lidhje me ndalimin, keqtrajtimin dhe zhdukjen e një të afërmi të tij. E po ashtu, ata kanë përmendur faktin që dëshmia e tij ka pasur pasaktësi e mospërputhje të cilat nuk janë sfiduar kurrë.

Në kundërpërgjigjen e saj, ZPS-ja ka thënë se mospërputhjet e vogla të dëshmisë së këtij dëshmitari që janë theksuar nga mbrojtja janë të kuptueshme duke marrë parasysh gjendjen e W00742, stresin dhe traumën që ka përjetuar.

Në vendimin e tij, trupi gjykues ka thënë se është paraqitur dokumentacioni mjekësor për këtë dëshmitar dhe ka marrë në konsideratë diçka e cila në vendim është e redaktuar në lidhje me aftësinë e W00742 për të dëshmuar.

“Paneli vëren se [REDAKTUAR]. Paneli është i kënaqur që, bazuar në provat e paraqitura, gjendja e W00742 [REDAKTUAR] do ta pengonte atë të dëshmonte në mënyrë efektive, kuptimplote dhe me dinjitet, nëse do të kërkohej të paraqitej para Panelit. Gjithashtu, Paneli konstaton se marrja në pyetje e dëshmitarit nuk do të siguronte një mënyrë efektive për të testuar dëshminë e tij. Në këto rrethana, Paneli konstaton se dëshmitari është i paaftë të dëshmojë sipas Rregullës 155(1)(a)”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, W00742 është pakicë etnike në Kosovë dhe se një i afërm i tij ishte arrestuar disa herë nga UÇK-ja në qershor të 1999-ës në një vend të caktuar i cili është i rëndësishëm për procedurat e rastit.

Vendimi thotë që sipas dëshmisë së këtij dëshmitari, i afërmi i tij ishte dërguar në një vend tjetër ku ishte keqtrajtuar dhe më pas ishte zhdukur.

“Paneli është i kënaqur që deklaratat e W00742 janë të rëndësishme për akuzat në Aktakuzë”, thuhet në vendim duke shtuar se deklaratat e W00742 janë autentike dhe kanë vlerë provuese por nuk lidhen me veprimet e të akuzuarve në aktakuzë prandaj edhe mbrojtja s’i kundërshtoi.

Dëshmia e këtij dëshmitari u pranua në prova materiale pasi u konstatua se ato i përmbushin kërkesat e rregullave përkatëse.

Ndryshe nga rasti paraprak, dëshminë e W04324 e kishte kundërshtuar mbrojtja me arsyetimin se ajo nuk është e besueshme dhe se mbështetët kryesisht në dëgjime dhe rrëfime të cilat janë të paqarta.

Veç kësaj, ata janë shprehur se me pranimin e kësaj dëshmie ata do dëmtohet për shkak të pamundësisë për ta marrë në pyetje gjë që sipas tyre bie në kundërshtim me garancitë ligjore.

Ndërsa, ZPS-ja ka thënë se dëshmia e këtij dëshmitari mbështetet kryesisht në dëshmi të dëshmitarëve të cilët mbrojtja e ka pasur mundësinë t’i marrë në pyetje.

Ndonëse mbrojtja kishte argumentuar që ZPS-ja nuk i ka bërë përpjekjet e nevojshme për ta siguruar dëshminë e këtij dëshmitari, trupi gjykues në vendimin e tij e ka konstatuar të kundërtën si dhe ka dal në përfundimin se ky dëshmitar ishte i paarritshëm.

Po ashtu, thuhet se deklaratat e këtij dëshmitari nuk lidhen drejtpërdrejt me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve siç i ngarkon aktakuza. Por, trupi gjykues ka konstatuar se deklaratat e W04324 janë autentike dhe kanë vlerë provuese, kështu që i pranoi në prova gjyqësore.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/