Lajme

“Pranku” nga rusët, Ymeri: Përmbajtja skandaloze, Kurti nisi armiqësi me zyrtarët amerikanë

3 ditë më parë
nga:G B

Analisti politik, Visar Ymeri ka reaguar ndaj skandalit të fundit, ku kryeministri Albin Kurti u mashtrua nga komedianët rusë që iu paraqitën si presidenti i Letonisë.

Ymeri ka theksuar se përmbajtja e bisedës është skandaloze dhe ka dënuar ashpër deklaratat e Kurtit.

“Pajtohem që përmbajtja është skandali kryesor, ato që ia thotë kryeministri Kurti atij që supozon që është president i Letonisë, e të cilat janë jo vetëm një pasqyrim jashtëzakonisht negativ i Kosovës, nga perspektiva e një kryeministri, se nuk po flet një kryetar partie po kryeministri”, ka thënë Ymeri në Debat Plus.

Ai ka shtuar se deklaratat e Kurtit janë një pasqyrim i pakënaqësisë dhe nisin armiqësitë me zyrtarët e SHBA-së, çka është e papranueshme dhe e gabuar në këto kohë.

Sipas tij, ato fjalë të Kurtit mund të merren si deklarata zyrtare të kryeministrit, duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës.

Ymeri gjithashtu ka theksuar se komunikata e qeverisë është po aq skandaloze, duke e konfirmuar që kryeministri mbetet pas atyre që ka thënë, duke e bërë këtë incident edhe më të dëmshëm për reputacionin e shtetit.

“Mirëpo janë një shpërfaqje një pakënaqësi, nisje të armiqësitë të zyrtarëve të SHBA-së, që nuk mendoj se është e duhur, e as udhës në këto kohë. Këto deklarime të tij, kushdo që i dëgjon apo i ka dëgjuar do të marrë si deklarime zyrtare të kryeministrit meqë supozohet se është bisedë zyrtare e kryeministrit. Ajo komunikata e qeverisë ishte skandaloze e konfirmon që kryeministri qëndron prapa atyre që i ka thënë”, ka dekalruar Ymeri.