Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka rënë pre e mashtrimit të dy komedianëve rusë “Vovan & Lexus”, të cilët e publikuan një video në kanalin e tyre në platformën “Rumble”.
Në video, dyshja Vovan & Lexus iu kanë paraqitur Kurtit se janë nga Presidenca e Letonisë.
Kurti dëgjohet teksa ankohet se ndaj tij ka pasur luftë hibride dhe se sipas tij, kjo ka ardhur nga Serbia e Rusia, teksa akuza ka hedhur edhe ndaj opozitës.
Ai më tej dëgjohet duke folur edhe për ish-emisarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenellin, duke thënë se ishte instrument në rrëzimin e qeverisë së tij të parë.
E për këtë veprim, i ashpër karshi shefit të Qeverisë u shfaq, Avni Arifi, i cili një kohë ka shërbyer si shef i stafit në periudhën sa Ramush Haradinaj, ishte kryeministër.
Arifi tha se gjuha e Kurtit në këtë “prank” ishte shqetësuese.
Ai në Rubikon të Klan Kosovës, deklaroi se këso gjuhe nuk do të duhej të përdorej as me një militant të LVV-së.
“Nuk besoj as ata të tjerët që kanë qenë, që kanë folur me aq armiqësi për rivalët politikë të cilët përfaqësojnë shumicën”, deklaroi Arifi në Klan Kosova.