Lajme

Pranimi i targave RKS nga Serbia, analistët serbë: Vuçiq, tregti me Perëndimin apo përmbushje e detyrimeve të mëparshme?

12/28/2023 21:43
nga:G C

Pothuajse në të njëjtën kohë kur në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, Beogradi zyrtar pas 12 vitesh refuzim pranoi edhe targat zyrtare të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë.

Serbia për një kohë të gjatë refuzonte të pranonte targat nga Kosova (RKS). Vitin e kaluar marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës ishin acaruar seriozisht lidhur me këtë çështje, kështu që vendimi për targa shpejt u ndërlidh me atë që ndodhi në zgjedhjet në Serbi.

Ndryshe, një pjesë e opinionit në Serbi vlerëson se lidhja mes targave dhe zgjedhjeve duhet kërkuar në përpjekjen e lojtarit kryesor në Serbi, presidentit Aleksandar Vuçiq, që t’i blejë vetes hapësirë ​​për manovra të ndryshme në zgjedhjet vendore, duke i pranuar targat e Kosovës.

Pranimi i targave për vjedhjen e zgjedhjeve – kështu do të përshkruhej në mënyrën më të shkurtër kjo teori, por gjërat nuk janë kaq të thjeshta, thonë bashkëbiseduesit e Zërit të Amerikës (edicioni në gjuhën serbe) nga Kosova dhe Beogradi.

“Nuk do t’i sillja ato dy gjëra në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë – nëse kjo është një lloj koncesioni për të zgjatur periudhën e ekzistencës së Qeverisë. Nuk do ta lidhja drejtpërdrejt me këtë, por më shumë me përpjekjen që diçka që prej kohësh është pranuar dhe harmonizuar me Marrëveshjen e Ohrit, të vihet në praktikë, ndoshta në një mënyrë shumë më pa dhimbje sesa nëse do të formohej një Qeveri e re”, thotë Miodrag Miliçeviq, kryetar i OJQ-së Aktivisti nga Mitrovica Veriore, dhe rikujton se vendimi për pranimin e targave të Kosovës është rezultat i drejtpërdrejtë i negociatave që u zhvilluan në fillim të janarit.

“Ai vendim për targat është në njëfarë mënyre befasues sepse vjen në këtë moment të krizës paszgjedhore në Serbi dhe se është marrë në heshtje, por nga ana tjetër ka qenë thjesht një pashmangshmëri që na priste herët a vonë në këtë proces”, thekson Miliçeviq.

Sipas tij, ndërmjetësi kryesor evropian Miroslav Lajçak së fundi deklaroi se janari i vitit 2024 është shënuar si muaj kyç për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Unë do ta lidhja këtë më shumë me atë, sesa me një lloj kompromisi që Aleksandar Vuçiq, ose qeveria do të donin të arrinin”, thotë Miliçeviq.

I pyetur se si perceptohet, kryesisht në veri të Kosovës, që Beogradi i pranoi targat zyrtare të Kosovës, Miodrag Miliçeviq po fut në lojë një fjalë të re – sentiment.

“Targat ishin kryesisht çështje sentimenti. Një problem tjetër ishin mesazhet e paqarta që vinin nga Beogradi, dhe më duhet të pranoj se ato kontribuan në një nivel tjetër të pritshmërisë në mesin e popullatës lokale – ju kujtoni sloganin ‘Nuk ka dorëzim, KM mbetet’. E gjithë kjo shërbeu për t’i bërë njerëzit të besojnë se ato targa disi do të mbeten dhe se nuk do të duhet t’i ri-regjistrojnë veturat e tyre”, thotë Miliçeviq dhe thekson se tani njerëzit në veri të Kosovës janë ende të hutuar pas “po”-së së Beogradit për targat e Kosovës dhe se janë në një lloj vorbulle dhe pa asnjë informacion.

E nëse pas shenjës së “shkrirjes” që ka ardhur nga Beogradi, mund të pritet një sinjal i ngjashëm nga Prishtina nga Albin Kurti lidhur me Asociacionin, Miliçeviq thekson se për formimin e Asociacionit të komunave Serbe po pritet më shumë se 10 vjet.

Edhe Dushan Milenkoviq nga Qendra e Beogradit për Dialog Social dhe Iniciativa Rajonale, nuk është i gatshëm që t’i lidh lehtë zgjedhjet në Serbi me vendimin e Beogradit për të pranuar targat e Kosovës, transmeton Telegrafi.

Siç thotë ai, pranimin e targave Vuçiq e ka paralajmëruar më herët dhe nuk është diçka e re – ishte vetëm çështje kohe që Beogradi të pranonte zyrtarisht targat e automjeteve nga Kosova.

Ishte çështje e hapur vetëm se në cilën datë në dhjetor Beogradi do t’i pranonte targat, vlerëson Milenkoviq dhe thekson se Vuçiqit më shumë i konvenonte t’i pranonte targat një ose dy muaj më parë, dhe jo tani në mes të krizës paszgjedhore në të cilën ndodhet Serbia.

“Do të doja që të ishte kështu. Kjo do të shënonte një kthim në një zonë më të qëndrueshme ku një marrëveshje është disi e mundur herët a vonë. Megjithatë, përvoja e mëparshme më mëson të jem optimist i matur në këtë çështje”.

Duke parë nga këndvështrimi i Beogradit, sipas Dushan Milenkoviqit, faturën për të gjitha vendimet politike zakonisht e paguajnë qytetarët e Serbisë.

“Qytetarët e Serbisë gjithmonë paguajnë faturën – dhe kur bëhet fjalë për të [Vuçiqin] dhe sjelljet e tij ndaj Serbisë, ndaj shtetit të Serbisë dhe ndaj shoqërisë, por edhe kur bëhet fjalë për aktorët kryesorë në marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilët më së shpeshti marrin vendime për të mbështetur Vuçiqin në llogari të qytetarëve të Serbisë”, thotë Milenkoviq.

“Kjo do të ishte e vërtetë nëse kjo me Kosovën dhe targat do të ishte dakorduar tani. Kjo me Kosovën dhe targat është dakorduar më herët, ka paralajmëruar ai, kanë paralajmëruar edhe disa të tjerë. Ishte çështja e datës, ndaj mendoj se kjo mbështetje që ai ka – ka shumë mbështetje edhe nga Amerika edhe nga Rusia për këtë vjedhje zgjedhore. Dhe këtë mbështetje që ai e ka lidhur me vjedhjen e zgjedhjeve – nuk lidhet me një lëvizje që do të bënte, do të ishte një tregti shumë e vogël. Është e lidhur me gjithçka që ai jep në lidhje me Kosovën”, thotë Milenkoviq.

Tezën për lidhjen e vendimit të Beogradit për pranimin e targave të Kosovës dhe asaj që ndodhi në zgjedhjet në Serbi, e mbron edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por Dushan Milenkoviq potencon edhe diçka tjetër.

“Mendoj se Vuçiq ka paralajmëruar diçka të tillë edhe para zgjedhjeve dhe mendoj se në disa deklarata ishte e qartë për atë që po fliste – ne do të përmbushim atë që kemi rënë dakord dhe kemi premtuar, që do të thotë se gjithçka që ka të bëjë me marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit duhet të përfundojë dhe se po presin vetëm Asociacionin e komunave serbe, i cili për herë të parë po zhvillohet në mënyrë pozitive në Kosovë. Kemi parë së fundmi disa informacione se edhe opinioni publik i Kosovës tani është shumë më pozitiv ndaj Asociacionit sesa ka qenë më parë”, thotë Milenkoviq dhe thekson se nuk ka asnjë sinjal se Beogradi nuk do të vazhdojë të dorëzohet nën presion.

“Ai ka dhjetë vjet që po lëshon pe, duke dhënë gjithçka që mund të japë në këmbim të mbështetjes për të qëndruar në pushtet dhe deri më tani nuk kam parë asnjë sinjal nga ana e tij se ai është gati të mos dorëzohet. Pra vepron, duket si një lojtar i shantazhuar, negociator i shantazhuar, pra faktikisht jo- negociator, nëse jeni i shantazhuar realisht nuk mund ta quani veten negociator, por ai vepron si i shantazhuar”, tha ai.