Sporti

Pranë largimit nga Juventus, Dybala mund të transferohet në Premier League

01/14/2022 14:31
nga:Mergim Rreci

Paulo Dybala refuzoi të luante për Italinë kur Antonio Conte ishte në krye të kombëtares, por sulmuesi dhe trajneri mund të ribashkohen tek Tottenham në sezonin e ardhshëm.

Kontrata e Dybala me Juventusin skadon në qershor dhe sipas raportimeve në Argjentinë, sulmuesi nuk është i gatshëm të vazhdojë me bardhezinjtë që po mendojnë të ndryshojnë kushtet e marrëveshjes që kishin arritur, përcjell GazetaBlic Sport.

28-vjeçari kishte rënë dakord të nënshkruante një marrëveshje të re 10 milionë euro në vit në Torino, por gjigantët e Serisë A mund të ndryshojnë shifrat në kontratë për shkak të çështjeve të tyre ekonomike dhe gjendjes së dobët të Dybala-s gjatë dy sezoneve të fundit.

Një ofertë nën 10 milionë euro do ta shtynte argjentinasin të braktiste bisedimet me Bianconerët dhe të fillonte negociatat me klubet përpara një transferimi të lirë gjatë verës.

Tottenhami i Antonio Contes është ndër klubet e interesuara për të siguruar shërbimet e tij me ish-trajnerin e Interit dhe Juventusit, i cili është një admirues i argjentinasit.

Conte gjithashtu donte të punonte me Dybalan gjatë kohës që ishte në krye të Italisë. Dybala ka një pasaportë italiane dhe për rrjedhojë, kishte të drejtë të luajë për këtë kombëtare. Megjithatë, ai refuzoi thirrjen e Contes në 2014, duke zgjedhur të presë atë të Argjentinë.

“Unë nuk mund të luaja për një vend që nuk është i imi,” i tha Dybala Olé në 2014 kur ai luante për Palermon.

“Kam folur me familjen time dhe e kam të gjithë karrierën përpara, ndaj preferoj të pres Argjentinën”.

Dybala iu bashkua Juventusit në vitin 2015 në një transferim prej 40 milionë eurosh nga Palermo.

/GazetaBlic Sport/