Lajme

“Praktikantët na ndihmonin shumë”, bie efikasiteti i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme

09/08/2022 11:04
nga:G B

Në tremujorin e dytë të vitit 2022 janë zgjidhur 155 lëndë më pak në Dhomën e Posaçme të Gjykatës, në krahasim me tremujorin e parë.

Për këtë, gjyqtari mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Ilmi Bajrami,  ka thënë se ka ndikuar largimi i dy bashkëpunëtoreve profesional, të cilët kanë shkuar në detyra të reja si dhe humbja e praktikantëve, të cilët sipas tij ishin ndihmesë shumë e madhe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Fatkeqësisht, gjendja është me e keqe se në tre mujorin e parë. Shpresoj që në ditët në vijim do ta përmirësojmë gjendjen, pasi kemi marrë përforcime”, ka thënë ai gjatë raportimit në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Sipas tij, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka të angazhuar 14 gjyqtarë, ku tre prej tyre janë të angazhuar në shkallë të dytë kurse, 11 të tjerët në shkallë të parë.

“Janë trashëguar 15 mijë e 201, janë pranuar 442 lëndë të reja, në punë kanë qenë 15 mijë e 645 lëndë”, ka thënë gjyqtari Bajrami.

Tutje tha se në këtë tremujor, 464 lëndë më pak janë regjistruar apo evidentuar krahasuar me tremujorin e parë.

“Shkallën e parë gjyqësore janë trashëguar 14 e 254  lëndë, ndërsa në shkallën e dytë në tremujorin e parë në punë kanë qenë 14 mijë 465 lëndë. Në shkallë të dytë gjyqësore janë trashëguar 947 lëndë, gjatë tremujorit janë pranuar edhe 231 të reja”, tha gjyqtari mbikëqyrës.

Mbi 1 mijë lëndë për një gjyqtar

Bajrami theksoi se Dhomën e Posaçme të Supremes, mesatarja e lëndëve për një gjyqtar është 1 mijë e 315 lëndë në shkallë të parë, kurse 392 lëndë në shkallë të dyte. Në këtë tremujor janë zgjidhur 692 lëndë, 542 në shkallë të parë dhe 149 në shkallë të dytë.

Mesatarja e lëndëve të zgjidhura nga gjyqtarët në shkallë të parë është 62 lëndë dhe 66 për shkallë të dytë.

14 mijë e 953 lëndë të pazgjidhura

Gjyqtari mbikëqyrës Bajrami ka shtuar se kanë mbetur edhe 14 mijë e 952 lëndë në punë, 13 e 923 nga shkalla e parë dhe 1 mijë e 29 mijë lëndë në shkallë të dytë, çka sipas tij i bie se për gjyqtar mesatarja e lëndëve që duhet të zgjidhen mbesin edhe 1 mijë e 265 lëndë.

Për këtë tremujor, ai ka thënë se janë publikuar të gjitha vendimet, pra 622 vendime, 511 në shkallën e parë dhe 111 vendime të shkallës së dytë.

Takimi po vazhdon me pika të tjera të rendit të ditës.