Lajme

PSD-ja: Albin Kurti ka dështuar në çdo sferë të shoqërisë

03/21/2024 17:19
nga:G C

Bardh Ahmeti nga PSD-ja thotë se kryeministri Kurti ka dështuar në çdo sferë të shoqërisë.

Ahmeti në një prononcim për GazetaBlic thekson se Kurti e ka sjellë dialogun në një pikë ku pozicioni i Kosovës është ai i kapitullimit me koncesione të pafunda pa njohje dhe me sanksione e prishje marrëdhëniesh me aleatët tanë.

“Fillimisht duhet thënë që vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje qysh dje. Kurti ka dështuar në çdo sferë të shoqërisë, duke mos sjellë asnjë transformim serioz të tyre, dhe ka sjellë dialogun në një pikë ku pozicioni i Kosovës është ai i kapitullimit me koncesione të pafunda pa njohje dhe me sanksione e prishje marrëdhëniesh me aleatët tanë”, tha Ahmeti.

Ahmeti tutje shton se, Kurtit nuk duhet t’i merren fjalët seriozisht, por veç veprimet.

“Është interesant që para disa muajsh ai deklarohej për nevojën e përfundimit të mandatit e tash, në një intervistë, po kërkon zgjedhje me ndihmën e opozitës. Këtij fjalët s’duhet t’ja marrim seriozisht, por veç veprimet. Përderisa ka pranuar të implementoj Asociacionin, përderisa po dialogon për dinarin, për të cilin thonin që asnjëherë nuk do të dialogonin në Bruksel, ky për çështje parimesh nuk ka pse të shkoj në zgjedhje sepse ky ka mbetur pa asnjë parim”, tha Ahmeti.

“Sa i përket koalicioneve, përtej spekulimeve, opozita do të duhej të ofronte një alternativë të re dhe serioze përtej kornizave hegjemonike në të cilat i ka ngurthyer Kurti. Fatkeqësisht këtë s’po e shohim”, shton ai.