Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, ka reaguar pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi dje se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi.
Sipas Pacollit, kaq është largpamësia e tij, teksa përmendi dy deklarata të ndryshme të Ramës sa i përket Ballkanit të Hapur.
“14 nëntor 2022 @ediramaal deklaronte se #BallkaniHapur është projekti i përhershëm, jo #ProcesiiBerlinit. 1 korrik 2023 Rama deklaron se Ballkani i Hapur e ka kryer misionin dhe se tash futemi në Proces të Berlinit. Kaq për largpamësinë e tij dhe këshillave të tij për #Kosovën”, shkroi ajo në Twitter.
Rama ishte shprehur se “jemi përgatitur për një hap të madh përpara”.
“Po punojmë me Bashkimin Evropian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit që duam shumë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor dhe është një plan real. Ursula Von der Leyen në Bratislavë e dha një mesazh të parë lidhur me planin për të rritur financimin, për të rritur aksesin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian”, tha Rama.


