Drejtori sportiv i KB Peja, Arbër Elshani, ka thënë se gjasat që të mos zhvillohet ndeshja e katërt mes KB Peja dhe KB Trepça janë 99 për qind.
Kjo, sipas Elshanit, do të ndodh pasi Federata e Basketbollit të Kosovës e ka dënuar KB Pejën me 7 mijë euro dhe dy ndeshje pa praninë e tifozëve në palestrën “Karagaçi”, kurse KB Trepçën me vetëm 1 mijë e 500 euro.
Ai në një prononcim për Klankosova.tv tha se dhuna erdhi nga tifozët mysafirë e jo ata të Pejës.
“Janë edhe të faktuara. Fishekzjarret hidhen nga tifozët e Trepçës ndërsa dënohemi ne”, tha ai
Elshani, në një status në Facebook tha se pas dënimit nga ana e federatës, është e pamundur për ta që t’i vazhdojnë garat, teksa hodhi faj edhe në tifozët e KB Pejës për siç e quajti ai, dëmin e shkaktuar.
“Edhe ju disa tifozë të KB Peja, që i kontribuat kësaj na keni dëmtuar shumë. Ata e realizuan skenarin për çka edhe kanë ardhur. Ata erdhën për ta prishur ndeshjen, nuk është dashur të merremi me ta”, shkroi Elshani.
Tutje, ai tha se nëse shikohet raporti i policisë, të autobusët e tifozëve të nga Mitrovica është gjetur sasi e kokainës, thika, armë të rënda e gjëra të tjera.
Ndeshja e katërt e playoffit parashihet të zhvillohet të enjten në Pejë dhe sipas vendimeve nga FBK-ja “Karagaçi” do të jetë i zbrazur.


