Gazetari dhe analisti Bekim Kabashi ka vlerësuar se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka pasur arsye reale për ta entuziazmuar elektoratin e saj, kryesisht për shkak të pozicionit të paqartë politik të kryetarit Lumir Abdixhiku.
Në Debat Plus, Kabashi tha se problemi kryesor i LDK-së lidhet me mënyrën se si Abdixhiku është pozicionuar nga 9 shkurti deri në zgjedhjet e fundit.
Sipas tij, ky pozicion ka qenë i paqartë dhe nuk ka arritur ta bindë elektoratin se pse duhet të votohet LDK-ja.
“Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, LDK nuk kishte arsye ta entuziazmojë elektoratin e saj. Për arsye se Lumir Abdixhiku këtu e ka problemin, pozicionin që e ka mbajt nga 9 shkurti deri në këto zgjedhje. Pozicioni i tij ka qenë i paqartë. Nuk ka mund elektoratin e LDK-së me bind se pse duhet ta votojë LDK-në. Secila parti synon pushtetin. Më 9 shkurt ka pas bindje se Lumir Abdixhiku mund ta udhëheq qeverinë, që mundet me dal parti e dytë. Dhe VV-ja ta ketë një rënie ta ketë një rënie të konsiderueshme, mandej grupi qeveritar ta bëjë qeverinë në krye me LDK-në, Abixhikun kryeministër. Pas atij rezultati që e pësoi LDK-ja më 9 shkurt u pa qe ky rezultat edhe nëse elektorati i LDK-së e shikonte se çfarë mund të ndodhte. Mund të ndodhte të pozicionohej blloku opozitar po kemi me pas kryeministrin e PDK-së. Ky elektorat i LDK-së dhe i ka qëndruar besnik LDK-së më komod ndihet me pas kryeministër Albin Kurtin sesa kryetarin e PDK-së”, ka thënë Kabashi.


