Lajme

Pozhari: Po rriten ndasitë mes partive, zgjedhjet po duken të pashmangshme

07/11/2025 22:27
nga:Y I

Analisti politik, Xhevdet Pozhari, ka vlerësuar se situata politike në Kosovë po shkon drejt thellimit të ndasive, derisa si opsion i sheh edhe zgjedhjet e reja.

Në emisionin “Këndi i Debati”, Pozhari ka theksuar se pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk është parë vullnet konkret për tejkalimin e bllokadës institucionale, përkundrazi – sipas tij – pozicionet mes partive po bëhen edhe më të forta.

“Është përgjegjësi e 120 deputetëve, kushdo që është aty në sallë e ka përgjegjësinë, sepse secili deputet në radhë të parë përfaqëson vetveten dhe atë grup që e ka votuar. Me kalimin e kohës po e shohim që s’ka përafrim të qëndrimeve. Mendonim se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të kishte vullnet për zgjidhje, por ndasitë po thellohen edhe më shumë”, u shpreh ai.

Pozhari shtoi se përçarjet mes partive politike janë duke i larguar edhe më shumë mundësitë për ndonjë marrëveshje qeverisëse dhe se diskursi aktual po e afron vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Sot, Abdixhiku prapë përmendi vijat e kuqe për koalicion. Kjo tregon që po shkojmë drejt zgjedhjeve. Edhe partitë opozitare duket se po e konsiderojnë këtë si opsion real. E qartë është që partitë opozitare nuk duan bashkëqeverisje me VV-në, ndërsa kjo e fundit ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim vetëm me LDK-në dhe Nismën, duke përjashtuar PDK-në dhe AAK-në”, tha ai.