Lajme

Pozhari: Ardhja e shefit të CIA-s në Kosovë, përpjekje për ta parandaluar një eskalim eventual!

08/22/2024 18:49
nga:Y I

Njohësi i çështjeve politike në vend, Xhevdet Pozhari, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me vizitën e Shefit të CIA-s William Burns, sot, në Kosovë.

Pozhari tha se një vizitë e tillë flet për brishtësinë e paqes në Ballkan.

Ai potencoi se ardhja e drejtorit të CIA-s në Serbi dhe Kosovë mund të ketë karakterin e parandalimit të një dhune të lokalizuar që mund ta nxisë Serbia

“Vizita e Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns në Prishtinë, në kuadër të vizitave në Ballkanin Perëndimor, (Sarajevë dhe Beograd) përpos që konsiderohet si një prej vizitave të nivelit më të lartë nga një zyrtar i administratës amerikane që kur nisën paralajmërimet e para për situatën e rënduar të sigurisë, flet edhe për brishtësinë e paqes në Ballkan”

“Kjo veçanërisht pas veprimeve të njëpasnjëshme të Serbisë e cila ka bllokuar dialogun me mosnënshkrimin e marrëveshjeve të arritura, shkeljeve të marrëveshjeve duke lobuar egër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e deri tek përgatitjet për sulmin terrorist në Banjskë që rezultoi me një polic të vrarë dhe tre terroristë të neutralizuar.Nga kjo pikëpamje, kjo vizitë mund të ketë karakterin e parandalimit të përshkallëzimit të një dhune të lokalizuar që mund ta nxisë Serbia me direktiva të Rusisë” deklaroi Pozhari për “Gazeta Blic”.

Pozhari duke iu referuar edhe deklaratave të dhëna nga ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Hovenier, tha se ardhja e Shefit të CIA-s është një përpjekje për të parandaluar një eskalim eventual.

“Edhe ditë më parë kishte deklarata të ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Hovenier, i cili kërkoi vigjilencë të shtuar dhe shmangie të një situate që do të çonte në rrezikimin e ushtarëve amerikanë, gjë që hap dyshimet se skenari i ardhshëm i shtetit gjenocidial mund të jenë trazirat në veriun e Kosovës. Dhe, ardhja e shefit të CIA-s është një përpjekje për ta parandaluar një eskalim eventual” deklaroi Pozhari për “Gazeta Blic”.

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, para ardhjes në Prishtinë qëndroi në Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi.

Shefi i CIA-s në Presidencën e Kosovës

Përfundon takimi i shefit të CIA-s në Presidencë

Shefi i CIA-s hyn për takime në AKI