Ballkani i Ilir Dajës do të përballet me ekipin gjigant bullgar, Ludogorets në fazën e parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve.
Ekipi kampion i Kosovës, FC Ballkani do të ballafaqohet me ekipin Ludogorets, shkruan GazetaBlic Sport.
Ndeshjet e raundit të parë kualifikues me dy ndeshje do të zhvillohen më 11/12 dhe 18/19 korrik.
Futbollisti i kësaj skuadre, Arbër Potoku tha për ‘GazetaBlic Sport’ se e kuptojnë forcën e kundërshtarit, por që nuk do të dorëzohen asesi dhe do të kërkojnë kalimin tutje.
“Sigurisht, një short shumë i vështirë, duke pasur parasysh historinë dhe arritjet në 12 vitet e fundit të kundërshtarit, natyrisht që do të jetë mjaft i vështirë, por ne nuk mund të dorëzohemi dhe do të fillojmë përgatitjet për atë ndeshje që nga sot. Kemi besim te vetja dhe te cilësia e grupit si dhe përvojën që kemi nga viti i kaluar. Do të provojmë të kalojmë tutje“, tha Potoku.
Ballafaqimi i parë mes Ballkanit dhe Ludogorets do të luhet në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri” me 11 ose 12 korrik.
/GazetaBlic Sport/


