Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik rreth një fushate mashtruese (phishing) që aktualisht po qarkullon përmes mesazheve SMS, të cilat, sipas organit kompetent, në mënyrë të rreme pretendojnë se janë dërguar nga Posta e Kosovës.
Këto mesazhe përmbajnë linqe mashtruese, thotë Policia, të cilat synojnë të mashtrojnë qytetarët për të siguruar të dhëna personale dhe të dhëna të kartelave bankare, me qëllim të keqpërdorimit financiar.
Policia e Kosovës thekson se Posta e Kosovës nuk ka dërguar mesazhe të tilla, ndërsa faqet e përfshira në këto SMS nuk janë domene zyrtare.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë; të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare; të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve; të fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese; dhe nëse kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, menjëherë ta raportojnë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës.
Po ashtu, rasti duhet të raportohet edhe në stacionin policor më të afërt.


