Banka NLB është gjobitur nga Banka Qendrore e Kosovës, në vlerë prej qindra mijëra eurove.
Sipas burimeve të Gazeta Blic, gjoba i është shqiptuar për shkak të shkeljes së Rregulloreve të BQK-së, duke rrezikuar depozitat e qytetarëve.
Po ashtu, Gazeta Blic ka dërguar pyetje në adresë të Bankës NLB lidhur me gjobën që kanë marrë, por nga banka nuk kanë kthyer përgjigje.
Përpos Bankës NLB, nga BQK për të njëjtat arsye është gjobitur edhe banka Raiffeisen, në vlerë prej 800 mijë euro. Kështu bëjnë të ditur burime të Gazeta Blic.
Por, as nga kjo bankë gazeta nuk ka marrë përgjigje.
Sipas burimeve, menaxhmenti i lartë në Raiffeisen Bank Kosova ka rrezikuar depozitat e qytetarëve.
Nga BQK janë deklaruar për këtë çështje.
Besnik Kada nga Banka Qendrore e Kosovës, tha për Gazeta Blic se s’mund të komentojnë për raste individuale dhe rregullimi i BQK-së shtrihet në raport me vet bankën.
“Lidhur me kërkesën tuaj specifike, ju njoftojmë se nuk mund të komentojmë për raste individuale dhe se mbikëqyrja dhe rregullimi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës shtrihet në raport me vet bankën, politikat dhe praktikat e saj”, tha ai.
Në përgjigje thuhet se BQK mund të ndërmarr masa adekuate administrative apo korrigjuese ndaj bankave dhe të gjitha institucioneve financiare, në pajtim me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi, por që këto raste nuk publikohen sipas ligjit të BQK-së.
“Në kuadër të detyrave të saj mbikëqyrëse dhe monitoruese, kur është e nevojshme, BQK mund të ndërmarr masa adekuate administrative apo korrigjuese ndaj bankave dhe të gjitha institucioneve financiare, në pajtim me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi. Megjithatë, masat e tilla konsiderohen procedime të brendshme që nuk publikohen sipas Ligjit të BQK dhe akteve të brendshme, prandaj edhe BQK rezervon të drejtën për të mos komentuar më tutje”, ka theksuar Kada për Gazeta Blic.
Ai shton se të gjitha bankat janë në pajtim me kornizën ligjore dhe se sistemi financiar është stabil dhe i sigurt.
“BQK-ja ju informon se të gjitha bankat janë në pajtim me kornizën ligjore dhe se sistemi financiar është stabil, i qëndrueshëm dhe plotësisht i sigurt, gjë që konfirmohet edhe me treguesit kryesor të stabilitetit financiar”, deklaron Besnik Kada nga BQK./Gazeta Blic/